E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deputetët e PS-së: Nuk vijmë në seancën e së hënës në Kuvend

Grupi Parlamentar i PS-së miraton me shumicë votash opsionin e bojkotit me kushte

Shaban Sulçe

Salla në seancën e parë të Kuvendit të ri që do të mblidhet ditën e hënë do të jetë pothuajse gjysmë e zbrazur. 65 deputetët socialistë nuk do të jenë të pranishëm në seancën që zyrtarizon Parlamentin e katër viteve të ardhshme. Grupi Parlamentar i Partisë Socialiste ka miratuar me shumicë votash propozimin e ardhur nga Kryesia e partisë për të bojkotuar seancën e parë të Kuvendit dhe njëkohësisht vendosjen e disa kushteve për pjesëmarrjen në Kuvend. Ashtu siç u deklarua edhe dy ditë më parë nga kryetari në detyrë i PS-së, Edi Rama, dje është mbledhur për herë të parë Grupi i ri Parlamentar i Partisë Socialiste. 65 deputetët socialistë janë mbledhur në një takim të zhvilluar në mjediset e “Tirana International” paraditen e djeshme, për të diskutuar dhe marrë vendim në lidhje me bojkotin e Kuvendit nga ana e Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste.

Votimi
Në fillim të takimit ka qenë kryetari Edi Rama ai që ka mbajtur një fjalim përpara deputetëve socialistë, të cilëve u ka shpjeguar propozimin e ardhur nga Kryesia e PS-së. Rama është ndalur gjithashtu në qëndrimin e PS-së ndaj maskaradës zgjedhore dhe gjithë atyre fenomeneve, të cilat i ka quajtur rrezik serioz për demokracinë. Pas diskutimeve edhe të deputetëve të tjerë, është hedhur në votim propozimi i ardhur nga Kryesia e PS-së. 60 deputetë kanë votuar pro këtij propozimi, pra “pro” braktisjes së Kuvendit nga ana e Grupit Parlamentar, si dhe vendosjes së kushteve për pjesëmarrje në të. Vetëm 5 kanë qenë votat kundër, dhe kryesisht të atyre deputetëve që prej disa javësh janë pozicionuar haptas kundër kryetarit në detyrë të PS-së, Edi Rama. Kështu, deputetët Blushi, Malaj, Islami, Bello dhe Harasani kanë votuar kundër bojkotit të Parlamentit nga ana e Partisë Socialiste.

Tensionet
Nuk kanë munguar debatet e ashpra dhe tensionet në mbledhjen e djeshme të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste. Madje debatet kanë shkuar deri edhe në fyerje personale midis deputetëve socialistë. Situata është tensionuar gjatë fjalës së deputetes socialiste, Rudina Seseri. Përveçse ka shprehur mbështetje ndaj idesë së bojkotit të Kuvendit, Seseri ka reaguar edhe ndaj zërave kritikë të kolegëve të saj lidhur me angazhimin e saj në Partinë Socialiste. “Ndonjë këtu si Beni merret me vitin kur kam ardhur unë në Partinë Socialiste”, - ka thënë Seseri. Kjo fjali ka sjellë reagimin e deputetit Ben Blushi, i cili ka kërkuar nga deputetja që të sqaronte se për cilin person e kishte fjalën. Ndërsa përgjigjja e Seserit ishte se e kishte fjalën për Ben Blushin. Këtu situata është ndërlikuar edhe më keq teksa deputeti socialist ka kërkuar nga kolegia e tij që të mos merrej me emrin e tij, ndërsa në debat e sipër nuk ka ngurruar të shkëmbejnë edhe fyerje personale. Më pas ky debat është zhvendosur midis Blushit dhe Ramës, të cilët kanë shkëmbyer polemika shumë të ashpra midis tyre. Situata pas shumë batutash dhe fyerjesh personale ka dalë jashtë kontrolli dhe shpëtimi është gjetur nga ish-kryeministri Pandeli Majko. Ky i fundit mësohet të ketë kërkuar pesë minuta pushim për të qetësuar gjakrat e deputetëve.

7 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›