E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: “Këneta” e ka fatin të shkruar, pas “Bufit” shkon në një proces shkërmoqjeje

TIRANË, 7 maj/ATSH/ Kryeministri, njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se “këneta” e ka fatin të shkruar, pas “Bufit” shkon në një proces shkërmoqjeje.

I pyetur në një intervistë televizive nëse i pëlqen që në parlamentin e ardhshëm të ketë parti të reja, Rama tha se “e vendos populli, edhe është i respektuar kushdo që vjen atje, përveç “kënetës”, për të cilën mund të mos kem asnjë respekt”.

“Mendoj që “këneta” e ka fatin të shkruar rikthimi i Bufit në krye u duk gabimisht për shumëkënd si ringjallja e madhe, por në fakt është kënga e fundit e Bufit, që përkon edhe me fundin e “kënetës”. Pas Bufit, “këneta” do të shkojë në një proces shkërmoqjeje se s’ka asnjë mundësi që t’i mbijetojë gjithë degradimit që i ka hyrë dhe kalbëzimit që ka si organizëm”, nënvizoi Rama.

Kryeministri Rama u shpreh se “të mendosh në një moment “kënetën” pa Bufin, ke një mozaik të jashtëzakonshëm”.

“Futja e figurave të reja në mozaikun parlamentar është pikërisht boshllëku që ka lënë “këneta”. Ne nga ana jonë, pjesën tonë dhe territorin tonë e kemi kultivuar dhe besoj që do ta zgjerojmë në këto zgjedhje. Ndërkohë që territori tjetër është i fragmentuar dhe i copëtuar. Nuk kemi çfarë të zgjedhim partner politik, ne partner politik kemi popullin shqiptar dhe shumicën e shqiptarëve, partner politik kemi BE-në, nuk kemi çfarë zgjedhim  partnerë këtu secili do të bëjë punën e vet. Do shohim rrugës nëse do na bashkohen ndonjëherë rrugët deri në një moment të caktuar për një punë të caktuar”, nënvizoi Rama.

I pyetur nëse do të ketë bashkëpunim në momente të caktuara, Rama tha se në ”çdo moment kur është e mundur të bashkëpunohet, të dialogohet ne jemi të gjithmonë të gatshëm, por kjo ka qenë e pamundur në pjesën më të madhe të kohës me një kundërshtar ka qenë i prirur të tregojë muskujt sesa të tregojë sa mend ka”.

Rama për partitë e reja: Janë të rinj në moshë, por të vjetër në mendësi

Kryeministri Edi Rama, njëherësh kryetar i Partisë Socialiste, i  konsideroi aktorët e rinj politikë në fushatën elektorale të 11 majit, të rinj në moshë, por me mendësi të vjetër,

I ftuar mbrëmjen e sotme në një intervistë televizive, Rama tha se “partitë e reja, janë të rinj në moshë, por të vjetër në mendësi”, teksa ironizoi opozitën duke theksuar se, “”këneta” është tjetër histori, të presësh Shqipërinë europiane nga “këneta” nuk është e shëndetshme nga pikëpamja e logjikës politike”.

I pyetur mbi bashkëpunimin me nongratën në parlament për kalimin e ligjeve, Rama nuk e konsideroi bashkëpunim por për rregulla loje.

“Nuk është e vërtetë, amnistitë gjithmonë janë bërë me votat e të gjithëve. Nuk ka patur asnjëherë kundërshtime, po ky nuk është bashkëpunim përveç se për rregullat e lojës”, tha ai.

Pyetjes se a do të vazhdohet me këto rregulla loje, Rama u përgjigj se, “patjetër, gjithmonë”.

“Le të shpresojmë që më 11 maj të thahet pjesërisht pastaj të shohim më tutje. Mendoj se Bufi nuk e bën dot vezën e Lulit. Nuk ishte vezë e madhe, por ishte vezë. Kjo e Bufit nuk di ç’do jetë”, u shpreh kryeministri.

/k.s/e.xh/a.f/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›