Berisha në Elbasan: Ata që dhunojnë vullnetin e votuesve do të goditen si terroristë

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Kryetari i Partisë Demokratike Sali Berisha, zhvilloi sot takimin përmbyllës elektoral në qytetin e Elbasanit.
Në fjalën e tij, Berisha tha se ata të cilët u bëjnë presion votuesve “do të goditen si terroristë”.
“Në këtë fjalë do them edhe dy gjëra për një çështje që nuk do doja kurrë të ndalesha. Por ndalem, sepse ata, të cilët të mbështetur nga pushteti, dhunojnë vullnetin tuaj, ata të cilët u trysnojnë ju me mbështetjen e qeveritarëve banditë, atyre u them se vrimë miu, se shpellë në botë nuk do gjejnë, kudo që të jenë. Qeveria shqiptare do t’i trajtojë si grupe terroriste, do t’i godasë si terroristë”, tha Berisha.
Berisha shtoi se ata “do kenë përgjigjen më të egër ligjore që mund ta imagjinojnë”.
Në mbyllje të fjalës së tij Berisha tha se tri ditët e fundit të fushatës janë ditët e shpresës së pashuar të shqiptarëve.
“Tre ditë, janë ditët e idealeve tuaja. Janë ditët e moralit tuaj. Janë ditët e besimit tuaj tek Elbasani dhe Shqipëria. Janë ditët e shpresës së pashuar të shqiptarëve. Le ta bëjmë 11 majin Ditën e dytë të Verës për Elbasanin, për Shqipërinë”, tha Berisha.
/a.f/r.e/