Rama: PS, jo pjesë e maskaradës elektorale
Rama ka kërkuar nga Kryeministri Berisha transparencë për lejet që janë dhënë ndaj të dënuarve para zgjedhjeve
TIRANË - Kreu në detyrë i Partisë Socialiste, Edi Rama, hedh poshtë të gjitha akuzat e kundërshtarëve të tij politikë brenda radhëve të selisë rozë për manipulim të vendimit të kongresit sa i përket rezolutës, duke theksuar se delegatët u shprehën qartë me votën e tyre për të miratuar draftin e miratuar më parë nga asambleja, si dhe propozimet shtesë të bëra në sallë.
Sipas tij, me vendimin e tij, kongresi, si organi më i lartë vendimmarrës në Partinë Socialiste, u ka lënë kompetencë forumeve të tjera drejtuese të kësaj force, si kryesia dhe grupi, që të vendosin lidhur me pjesëmarrjen ose jo të deputetëve socialistë në jetën parlamentare dhe nëse po, se kur do të ndodhë kjo.
"Është fare e qartë edhe autoriteti që kongresi u ka lënë grupit parlamentar dhe forumeve të PS-së për të ushtruar sovranitetin e vet", - tha Rama gjatë një komunikimi me mediat.
Ajo që e bën më të qartë për Ramën legjitimitetin e një vendimmarrjeje të tillë nga kongresi, është edhe fakti që në të u miratua Rezoluta e Asamblesë Kombëtare, sipas së cilës, përcaktohet se PS-ja nuk i njeh zgjedhjet dhe se ligjshmëria e institucioneve të dala prej tyre është thellësisht e cunguar.
"Kongresi ka qenë absolutisht i qartë dhe absolutisht i vendosur në konsideratën e legjitimitetit thellësisht të cunguar të çdo produkti institucional dhe politik të rezultatit të këtyre zgjedhjeve, duke shprehur bindjen se zgjedhjet e parakohshme janë një objektiv i imponuar për t'i dhënë sovranitet të pakontestueshëm politik Parlamentit dhe mandat politikisht legjitim qeverisë së vendit", - u shpreh Rama.
Duke argumentuar këtë vendimmarrje, Rama, i cili rikandidon për një mandat tjetër për kryetar të PS-së, ka theksuar se në të tilla kushte, kur rezultati i zgjedhjeve nuk pasqyron vullnetin e zgjedhësve, deputetët socialistë, me pjesëmarrjen e tyre në Parlament, nuk mund të bëhen pjesë e ligjërimit të atyre zgjedhjeve që kjo forcë politike i ka konsideruar shpesh si maskaradë elektorale.
"Kongresi e ka përcaktuar shumë qartë Parlamentin e Shqipërisë si një institucion me legjitimitet thellësisht të cunguar, çka do të thotë se ky Parlament nuk mund të jetë teatri i një farse demokratike. Me këtë Parlament, PS-ja duhet dhe do të ketë raporte të kushtëzuara nga fillimi deri në fund.
Askush nuk mund ta kthejë PS-në në një zgjatim të dekorit pseudo demokratik të këtij Parlamenti", - shtoi Rama. Për të mbetur tek zgjedhjet dhe tek shkeljet e vërejtura gjatë tyre, Rama i është rikthyer edhe një herë çështjes së të burgosurve që, sipas PS-së, janë liruar nga burgjet për të kontribuar në fushatën elektorale të Partisë Demokratike.
Kështu, sipas tij, ajo që e bën PS-në edhe më të vendosur që të mos pranojë të vendosë marrëdhënie me institucionet e dala prej këtyre zgjedhjeve, siç është edhe Parlamenti, është fakti që ato janë të lidhura direkt me veprimtari kriminale, siç është edhe ai i nxjerrjes nga burgjet të një kontigjenti të caktuar personash të rrezikshëm për shoqërinë, të cilët kanë kontribuar në zona të ndryshme të vendit për të bërë presion ndaj zgjedhësve të majtë.
"Sali Berisha duhet ta kuptojë se nuk i shpëton dot transparencës së plotë lidhur me këtë çështje, duke e inkuadruar në çështje të procedurës administrative, apo, aq më pak, duke e lënë si një çështje që mund të merren nivele të tjera përveç tij.
Sepse është ai vetë që e ka orkestruar gjithë këtë maskaradë dhe janë autoritetet më të larta të pushtetit të tij, që e kanë organizuar hapjen e burgjeve me autorizime tërësisht të paligjshme për të përdorur autoritetin mafioz të një lukunie trafikantësh, vrasësish, përdhunuesish, dhe me radhë të gjitha zullumet dhe tmerret, për të cilat janë dënuar me vite të tëra burgimi", - tha Rama, duke premtuar se PS-ja për këtë çështje do të kërkojë transparencë të plotë.
Gjithashtu, ai ka evidentuar edhe presionin që pushteti po ushtron mbi të gjithë ata zgjedhës opozitarë që janë të punësuar në administratën publike.
"Çdo ditë vijon persekucioni politik ndaj njerëzve të afishuar si qytetarë opozitarë në të gjitha nivelet, duke i larguar masivisht nga puna. Ne kemi emra, kemi mbiemra njerëzish, që janë qytetarë të kësaj republike, që gëzojnë njësoj të njëjtat liri, të drejta kushtetuese si Sali Berisha, Ilir Meta, njësoj si Fatos Nano", - përfundoi Rama.