Rama: PS mbajti zotimin për votimin e diasporës, tani Shqipëria 2030 në BE

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në përgjigje të pyetjeve të adresuara nga ndjekësit në platformat sociale, u shpreh sot se Partia Socialiste e ka mbajtur zotimin e hershëm për të mundësuar votën e emigrantëve dhe shqiptarëve të Evropës që duan të marrin pjesë në procesin zgjedhor.
Kryeministri tha se jetësimi i këtij procesi tashmë po ndodh dhe zarfet e KQZ-së po shpërndahen gjithandej. “Procedura është e thjeshtë, standarde, duhet parë me vëmendje udhëzimi i KQZ-së. Duhet të keni parasysh që vendoset një kryq brenda kuadratit ku shkruhet numri pesë, pasi në çdo kuti tjetër, vota juaj është juridikisht e vlefshme, por politikisht e pavlefshme, sepse është e hedhur në kotësinë e përgjithshme jashtë territorit të shumicës që në këtë moment historik duhet të jetë një shumicë përtej shumicës së PS për të realizuar me sukses negociatat me BE-në”, pohoi Rama, ndërsa bëri thirrje për vëmendje në momentin e plotësimit të fletës së votimit ku një kryq apo shenjë vendoset brenda kuadratit të subjektit politik dhe një tjetër te kandidatët, sipas qarqeve.
Një tjetër komentues i kujton Kryeministrit faktin që duhet të marrë leje për të postuar foto të personave në rrjetet sociale, duke sjellë në vëmendje foton e një familjeje që jeton në Gjermani, ku shfaqej çifti i bashkëshortëve me djalin e tyre dhe me zarfin e fletës së votimit në duar.
Rama tha se fotoja e kësaj familjeje që jeton në emigracion i erdhi në numrin e tij të telefonit, duke treguar zarfin e KQZ-së të mbërritur në shtëpinë e tyre, ndërsa Kryeministri tha se ka marrë lejen e tyre për ta postuar.
Komentuesi i radhës në rubrikën “Sy m’Sy”, i tha Kryeministrit Rama se çfarë vendi është Shqipëria që përdor një kompani postare si DHL për shpërndarjen e zarfeve të KQZ-së, ndërkohë që është Posta Shqiptare.
“Këtë sistem e përdor çdo vend, edhe vendet më të zhvilluara kanë këto posta të shpejta, globale. Mos i ngjisni Shqipërisë çdo gjë, sa herë që ju jepet mundësia. Flasin sikur s’kanë parë botë me sy, por e dinë si funksionon bota”, tha Rama.
/r.e//a.f/