Zgjedhjet, Rama: PS do të fitojë mbi 74 mandate, “bufit” nuk ia kanë hequr “non gratën”

TIRANË, 17 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama tha sot se Partia Socialiste në zgjedhjet parlamentare të 11 majit në rezultatin minimal të saj do të arrijë të marrë më shumë mandate se ka sot, pra mbi 74 mandate.
Duke iu përgjigjur komenteve në rrjetet sociale, në rubrikën “Sy m’Sy” kreu i qeverisë tha se diferenca me opozitën do të jetë më e madhja ndonjëherë që nga 1997-a.
“Rama do të marrë më shumë se 71 mandate, sepse sot përballet me një opozitë të përçarë, të paqartë, të udhëhequr nga një pulitkan i sanksionuar”, lexoi Rama komentin e një qytetari.
“Ore, ia hoqën “non gratën” këtij? Keni ndonjë informacion ju, “bufit”, ia hoqën non gratën si shkoi puna, nuk është se ndryshon ndonjë gjë se bufi buf mbetet, por sikur nuk ia kanë hequr. Ne do të marrim më shumë mandate seç kemi. Se sa do të marrim do ta them me shkrim në Kuç, atje tek vendi ku lë unë një shkrim, por më duhet dhe pak kohë që të kuptojmë tamam se ku jemi, po afër, afër jam tani, sepse ne bëjmë anketime shkencore gjatë gjithë kohës”, tha Rama.
Rama u ndal edhe te sondazhet në vend, ndërsa shtoi se mbi bazën e anketimeve do të thotë edhe cili do të jetë numri minimal e ai maksimal i mandateve që do të marrë PS.
“Sondazhisti i Trump, pashë që është kontraktuar nga Top Channel, e ka sjellë Latifi, kush e ka sjellë nuk e di, por di që duke qenë se kam qenë ndjekës shumë i vëmendshëm i fushatës amerikane ai është një supersondazhist, sepse dilte edhe i binte ndesh sondazheve në përgjithësi që jepnin Kamalën para ose Trumpin mbrapa, dhe i doli i fjala.
Deri tani nuk kam parë ndonjë sondazh nga këto që dalin që kanë një vërtetësi, të gjitha të vërteta janë ato se i bëjnë vërtetësisht, po se duke qenë se ne ndjekim e anketojmë popullin shqiptar çdo muaj prej 12 vitesh i kemi të gjitha kapicë trendet, kemi shumë të dhëna për të parë luhatjet, lëvizjet, mbi bazën e atyre do ta them cili do të jetë numri minimal i mandateve dhe cili maksimal, që sot mund të them se minimali është mbi atë që kemi, sa mbi do të presim dhe pak dhe do të dëgjojmë dhe sondazhistin e Trump, që edhe Latifi me e pas sjellë, që sado të përpiqet, se kanë mundësi për t’i bërë këto, se pashë një sondazh që ishin hedhur shumë tek të pavendosur, nuk ka shumë të pavendosur sot në Shqipëri dhe ishte ulur diferenca. Diferenca jonë me “kënetën” do të jetë më e madhja ndonjëherë që nga ’97-a”, u shpreh Rama.
Rama në fund të fjalës së tij kishte edhe një thirrje për demokratët që mos ta hedhin votën në kënetë.
“Me mend në kokë demokratët, sepse ju nuk merrni asgjë, ata për të cilët ju votoni kapin një karrige në parlament për të bërë atë që kanë bërë gjithmonë atë zhurmën, atë budallallëkun, se deri sa të iki “bufi” që aty, kjo histori është. Ju nuk merrni asgjë! Tani, për çfarë e hidhni votën në kënetë? Nuk është futboll, s’është tifozllëk, shikoni sa demokratë po lëvizin dhe na bashkohen. Me mua dhe PS realizojmë atë që na ka lënë amanet profeti ynë kombëtar Skënderbeu, Europën”, tha Rama.
/r.e/