Rama: Sot ka drejtësi të pavarur nga pushteti politik, e solli Partia Socialiste

TIRANË, 17 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi se sot ka një drejtësi të pavarur nga pushteti politik.
Në rubrikën “Sy m’Sy”, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt ndjekësve në rrjetet sociale, Rama tha se “qeveria ime është e gjitha në detyrë. Në procese me drejtësinë kanë qenë dhe janë ish-ministra dhe nuk janë as sa çereku i qeverisë që unë kam sot në numër pa harruar që unë kam pasur mbi 60 ministra”.
“Ndërkohë, nëse sot ka ish-ministra, kryetarë bashkie, personalitete ose figura zyrtare etj., në probleme të hapura me drejtësinë, si erdhi kjo ditë? E solli Zoti këtë ditë vetë, pa ndihmën tonë, e solli Amerika me aeroplanë këtë ditë, apo e solli BE-ja me anije? Se BE dhe Amerika aty kanë qenë që në 1991”, theksoi Rama.
Duke iu përgjigjur qytetarit Rama tha se “ti nuk e ke parë kurrë në jetën tënde një ministër apo kryetar bashkie, nuk e ke parë kurrë që një individë të fortë të lidhur me pushtetin qoftë edhe kriminelët e botës së krimit nga ata me damkë që të jenë nën goditjen e shpatës së drejtësisë”.
Kryeministri Rama kujtoi gjithashtu ngjarjen e 11 Janarit 2011 ku pranë Kryeministrisë u vranë katër persona.
“Ti ke parë gjëra krejt të kundërta me këtë, ti ke parë qeveri, kryeministra që vrasin njerëz. Këtu, poshtë dritares, janë vrarë njerëz të pafajshëm, qytetarë që erdhën të protestojnë poshtë dritares, që është Kryeministria, u bënë frëngji nga ku dolën pushkët e shtetit. Ti ke parë qeveri që hedhin në erë zona të banuara dhe vrasin njerëz dhe plagosin njerëz e shkatërrojnë prona jo në film, në realitet këtu në Tiranë, apo s’e ke pas mendjen, dhe nuk u ka hyrë gjemb në këmbë? Jo nuk u ka hyrë gjembë në këmbë, dhe nuk po shkoj më tutje, dhe duhet të kesh parë në Tiranë presidentë që kanë hedhur Shqipërinë në erë, kanë provokuar vrasjen e katër mijë njerëzve duke nxitur popullin të fusë lekët në piramida”, nënvizoi Rama.
Nuk po të çoj, shtoi Rama, as kur vinin me armë edhe me ato mortajat që mbajnë në krah këtu para Kryeministrisë për të marrë pushtetin.
Më tej Kryeministri u ndal tek reforma në drejtësi dhe tek kreu i SPAK, Altin Dumani duke theksuar se “asnjëherë nuk ke parë më një prokuror që t’i thërrasë këta e t’u thotë: “Quo Vadis Domine” deri përpara pak vitesh. Altin Dumanin kur e ke dëgjuar ti, se me siguri e ke dëgjuar para 5, 10, 15 apo 20 vjetësh. Dumani ka qenë prokuror në detyrë në ato vite që unë po flas po ti nuk ia ke dëgjuar emrin. Prokuror i zoti, i përkushtuar, i ndershëm patjetër, i vendosur, s’ka thirrur ndonjë që t’i thotë hajde këtu si ti vrave katër veta. Sepse nuk e kishte “shpatën” të thërriste”.
Rama u shpreh se “më përfytyron dot mua ti që të dal e të them kush vjen proteston poshtë penxheres do ta vras”.
“E përfytyron dot ti që të dalë të çojë lera Dumani për të thirrur kërkuar llogari për këtë punë e unë të dal në televizor t’i them popullit që ai është një lavire, i përfytyron dot këto ti? Në asnjë mënyrë, janë të paimagjinueshme, sepse ky që shikon ti këtu bashkë me PS-në që sipas teje s’duhet t’i flasësh, e kanë sjellë ditën për shqiptarët që shqiptarët se kanë parë që nga 1912”, tha Rama, duke shtuar se PS ka dorëzuar tek drejtësia “shpatën e ndëshkimit” që i takon drejtësisë.
Rama vuri në dukje se drejtësinë e pavarur nga pushteti politik e solli në këtë vend Partia Socialiste.
“Shqipëria e ka të burgosurin e fundit politik në demokraci Fatos Nanon, u fut në burg me urdhër nga i pari. Sot këto janë të paimagjinueshme sepse ajo që kam bërë unë me PS-në është e paimagjinueshme hidhu përpjetë ti bashkë me të gjithë kukumjaçkat dhe insektet e kënetës nën ritmin e bufit, por e vërteta është vetëm kjo. Nëse sot ka një SPAK dhe Duman që meriton respekt dhe solidaritet për të gjithë ato sulme barbare që i janë bërë atij dhe familjes kjo ndodh se sot ka një drejtësi të pavarur nga pushteti politik. Drejtësinë e pavarur nga pushteti politik e solli në këtë vend PS me mua në krye.”
Nëse, vijoi Rama, “ne e hodhëm këtë hap, ose i hyjmë detit me këmbë, ti mendon që nuk e dinin që një drejtësi e pavaruar do të godiste brenda nesh?”.
“I ke dëgjuar ti kur unë kërkoja reformën më drejtësi dhe kur këtu më ishin ngujuar në çadra Luli e kompani dhe vinte “bufi” herëpashere dhe përkëdhelte Lulin këtu dhe ia jepte klithmave kundër penxhereve lart. Më ke dëgjuar kur kam thënë që dua një drejtësi që mos të shohë majtas dhe djathtas, por vetëm drejt”, tha Rama.
/k.s/r.e/a.f/