Rama: Pasaporta e BE e Shqipërisë, status qytetarie evropiane

TIRANË, 17 prill / ATSH / Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë rubrikës “Sy m’Sy”, duke iu përgjigjur drejtpërdrejt ndjekësve në rrjetet sociale, se pasaporta e BE-së e Shqipërisë është një status qytetarie evropiane.
Rama theksoi se pasaporta e BE-së e Shqipërisë është dokumenti që provon barazinë e plotë në liri dhe të drejta, ashtu si çdo qytetar tjetër evropian.
“Ju emigrantët, ti Zamir, jeni në Evropë meqë thua kështu, por jo të gjithë shqiptarët e Evropës kanë mundësinë e qytetarisë evropiane, pra pasaportën e vendit ku janë. Ka një pjesë që janë fatmirësisht edhe qofshin gjithmonë të bekuar e të respektuar, sepse falë punës dhe mundit të tyre të jashtëzakonshëm, janë qytetarë me pasaportë të atij vendi ku jetojnë, po një pjesë e madhe nuk e kanë. Nuk e kanë dhe do ta marrin përmes Shqipërisë se duhet kuptuar kjo gjë, Zamir, duhet kuptuar”, tha Rama.
Sipas tij, “nuk bëhet fjalë për një dokument tjetër udhëtimi, pra pasaporta shqiptare që ne kemi, është një dokument udhëtimi, ndërsa pasaporta për të cilën flas unë unë, e Shqipërisë anëtare e BE, pasaporta në kopertinën e së cilës shkruhet “BE, Shqipëria- European Union, Albania’’ nuk është një dokument udhëtimi, është një status i ri qytetarie evropiane për çdo shqiptar. Është dokumenti që provon barazinë e plotë në liri dhe në të drejta të çdo shqiptari si çdo qytetar tjetër evropian. ǒdo të thotë kjo?
Kryeministri shtoi se shqiptarët me pasaportë shqiptare mund të lëvizin në BE, por nuk kanë të drejtë qëndrimi dhe nuk janë të barabartë me qytetarët e vendeve anëtare.
“Me pasaportën që kemi sot, udhëtojmë, por nuk ndalojmë dot, nuk qëndrojmë dot. Hyjmë, por duhet të dalim. Dhe për këtë arsye, kur shkojmë në pikat hyrëse të Evropës, na fusin në një radhë tjetër, na numërojnë si delet, na marrin në pyetje një nga një: Ku po shkoni? Sa para keni me vete? A keni rezervuar hotel? Kur do të ikni? Dhe pasi kalon atë prag, duhet të kthehesh. Nuk ndalon dot, nuk punon dot, sepse nuk ke leje qëndrimi, as leje pune. Po deshe të ndalosh, kërkon azil. Prandaj shqiptarët numërohen si azilantë. Ndërsa çekët, polakët, hungarezët, rumunët, italianët lëvizin masivisht, ikin e vijnë, qëndrojnë. Në jug të Italisë ikin vazhdimisht dhe askush nuk u thotë: ‘Ku po shkoni?’, ‘shpopullimi’ e të tjera, sepse janë qytetarë të barabartë brenda perimetrit të BE-së”, tha Rama.
Sipas kreut të qeverisë, “me hyrjen në BE, një vend bëhet i madh sa vetë BE-ja. Siç lëvizim sot nga Shkodra në Vlorë, nesër do të lëvizim nga Tirana në Lisbonë. Kemi të njëjtat të drejta. S’jemi më studentë të huaj, jemi studentë evropianë”.
/a.f//r.e/