Rama: PS nuk do t’i bojkotojë zgjedhjet vendore
Në përgjigje të letrës së presidentit Topi, drejtuar partive politike, kreu i opozitës Edi Rama i shkruan kreut të shtetit se PS nuk do të bojkotojë zgjedhjet vendore.
Qëndrimi i kreut të opozitës publikohet përmes kësaj letre në pritje të takimeve me diplomatët amerikane Steinberg dhe Kantrimen, të cilët vizitojnë Tiranën pikërisht për të nënvizuar rëndësinë që kanë zgjedhjet e vendore të 8 majit për kthimin e stabilitetit politik.
Rama shkruan në këtë letër se i garanton presidentit Topi pjesëmarrjen aktive të socialistëve në jetën parlamentare dhe për mosbojkotim të zgjedhjeve vendore.
Por zgjedhjet, sipas tij, duhet të zhvillohen në kushte të tjera dhe se, siç thotë Rama, mundësitë për ndryshimin e kushteve ekzistojnë.
Në fund të letrës së tij, Rama deklaron se opozita nuk tërhiqet asnjë hap nga aksioni i demonstratave për largimin e qeverisë, me zgjedhje të reja, por do të bëjë çdo hap të mundshëm para për mbrojtjen e votës së çdo qytetari në zgjedhjet vendore të 8 majit. /abcnews/