Rama: PS nuk ka ceduar asnjëherë kur është fjala për interesin kombëtar

TIRANË, 25 maj/ATSH/ Kryetari i Partisë Socialiste, njëherësh kryeministri Edi Rama, në aktivitetin e zhvilluar sot në Durrës me rastin e 35-vjetorit të Partisë Socialiste, tha se PS ka pasur që në fillim në ADN-në e saj mbrojtjen e interesit kombëtar.
“Partia Socialiste ka të regjistruar që në krye të herës në ADN e vet një raport me interesin kombëtar që e bën të vetmen forcë politike në historinë e këtyre 35 viteve që për asnjë moment nuk ka ceduar kur ka qenë fjala te mbrojtja e interesit kombëtar”, deklaroi Rama.
Ai risolli në vëmendje thyerjen e embargos ndaj Serbisë, në kohën kur UÇK po luftonte për çlirimin e Kosovës.
“Ata të cilët mallkonin PS-në në krye të herës si “parti e Beogradit”, ishin po ata që bekonin thyerjen e embargos për Millosheviçin dhe që bënin para duke i shitur naftë makinerisë së spastrimit të Millosheviçit”, deklaroi Rama.
Rama tha se PS ishte forca politike që mbështeti pa rezerva, në të gjitha format, UÇK-në.
“Ndërkohë që PS ishte ajo që në krye të vendit, që në krye të herës mbështeti pa rezerva, në të gjitha format, UÇK-në”, deklaroi Rama.
/r.e/