Rama: PS si Barcelona, por duhet të jemi të bashkuar
Disavantazhi në kryeqytet nuk përbënë për kreun socialist Edi Rama një problem për ta konsideruar PS-në si fituesen e zgjedhjeve lokale të 8 Majit. Madje, jo vetëm kaq, por Rama gjatë takimeve që ka zhvilluar dje në Shkodër në kuadër të turit të tij të analizës paszgjedhore, për të shprehur më qartë këtë sukses e ka konsideruar Partinë Socialiste në politikën shqiptare me klubin spanjoll të Barcelonës në futboll. “Jemi PS dhe do jemi të parët. Jemi Barcelona e politikës, të dytët s’mund të jemi. S’ka lojë të mirë për të dytët, sepse o fiton o humb”, -mësohet të jetë shprehur kreu socialist Edi Rama gjatë takimit që ka zhvilluar dje me dyer të mbyllura me strukturat drejtuese lokale të partisë në këtë qark. Sipas tij pavarësisht manipulimeve PD nuk e mund dot PS-në as në qytete që konsiderohen si bastione të kundërshtarit, mjafton që kjo e fundit të jetë e organizuar dhe e bashkuar. “Saliu mundet me bashkim e organizim. Saliu nuk e mund PS as në Shkodër por ai fiton nga mungesa e organizimit dhe mosbashkimi. Nëse humbim në Rrogozhinë dhe fitojmë në Shëngjin, kjo nuk është meritë e Saliut”, - mësohet të jetë shprehur Rama. Nga burime brenda takimit mësohet se Rama ka bërë analizë të zgjedhjeve të 8 majit ku ka deklaruar se në rrethin e Shkodrës rezultati i arritur ka qenë inkurajues, ndërsa ka analizuar të gjitha njësitë e qeverisjes vendore duke i argumentuar me rezultatet konkrete. Ai ka veçuar Berdicën, një komunë ku asnjëherë PS nuk ka patur rezultat pozitiv, ndërsa është shprehur i pakënaqur me Bashkinë e Shkodrës dhe atë të Pukës. Duke qenë i bindur se rezultati i 8 Majit ishte një fitore për PS-në, Rama u ka bërë thirrje drejtuesve vendor që të rruajnë rezultatin duke punuar me qytetarët dhe të shmangen grindjet mes veti. “Ky është kundërshtari që kemi përballë, ka humbë të gjitha pikat nevralgjike. Si përballohet ky rrezik që të mos humbasim rezultatin e arritur ? Qani hallet e njerëzve, krijoni urat e komunikimit me çdo lloj votuesi, krijoni ura komunikimi mes qytetarëve e përfaqësuesve të tyre në këshilla. Fushatat bëhen me dy krahë. Strukturat dhe njerëzit. Pas fushatës a është shkuar në shtëpitë e njerëzve? T’u themi që të bëhen pjesë e shtëpisë sonë politike? Nuk është bërë sepse ka njerzillëk dhe maskarallëk. E para të jep fitoren, e dyta humbjen. Sharjet e drejtuesve të PS me njëri- tjetrin mbjellin humbje”, - ka thënë Rama. E duke iu referuar pikërisht rastit të qarkut të Shkodrës, pavarësisht notave pozitive të vlerësimit, Rama mësohet se ai ka qenë i ashpër në kritikat e tij me zonat ku PS ka patur rënie si rrethi i Pukës, Kopliku etj. Madje deputetët e PS-së, Tom Doshi, që së bashku me deputetët e tjerë të qarkut dhe ish deputetin Beqja kanë qenë të pranishëm, i kanë kërkuar dorëheqjen nga drejtimi i PS i çdo kryetari që humbet në zonën e tij, duke theksuar veçanërisht dorëheqjen e kryetarit të PS së rrethit të Shkodrës, Genc Uruçi, që ishte dhe kandidati i PS për bashkinë dhe humbi me diferencë të theksuar votash . “Nuk mund të krenohesh me analizën e rezultateve në shkallë rrethi kur kjo është meritë e të tjerëve , ndërsa vetë si kandidat ke regjistruar një humbje shumë të thellë”, mësohet t’i jetë drejtuar Doshi, Genc Uruçit.