PD, Tabaku: Rama po shantazhon Kolegjin Zgjedhor
TIRANË- Kryesuesja e Këshillit Bashkiak të PD-së, Jorida Tabaku, ka reaguar dje ndaj sekretarit për çështjet ligjore në PS, Fatmir Xhafaj, sipas të cilit PS-ja ka prova për manipulimin e rezultatit në Tiranë. “Edhe sot, u njohëm me akuzat e radhës false e kryekëput të pabazuara të z.Rama. Në një përpjekje të dëshpëruar dhe të papranueshme, z.Rama bëri presionin më të egër ndaj institucioneve të pavarura të vendit, për të grabitur fitoren e kundërshtarit dhe për të fiksuar rezultatin e zgjedhjeve vetëm në favorin e tij.
Partia Demokratike vazhdon të presë me qetësi e maturi përfundimin e procesit, duke u distancuar nga taktikat shantazhuese dhe britmat e z.Rama. Retorika e dalë jashtë kontrollit, akrobacia dhe manipulimi me faktet, mund të jenë standardet konstante me të cilat sillet z.Rama, por ne jemi të bindur se kjo nuk funksionon më. Qytetarët shqiptarë nuk kanë më nevojë për beteja politike”, - tha dje Tabaku. Ajo shtoi se, janë qytetarët ata që zgjedhin fituesin dhe jo politikanët. “Përse z.Rama sulmon KQZ-në, kur ky institucion u urdhërua nga Kolegji Zgjedhor të numëronte votat, pas kërkesës që vetë z.Rama bëri në gjykatë? Përse z.Rama i bën presion Kolegjit Zgjedhor, kur i gjithë komuniteti ndërkombëtar ka kërkuar nga partitë politike të heqin dorë nga shantazhi ndaj institucioneve të pavarura dhe të pranojnë vendimet e tyre, veçanërisht të Kolegjit Zgjedhor? Përse z.Rama nuk pranon rezultatin e zërit të qytetarëve, themelin e vërtetë të Demokracisë?”, - tha ajo