PS: Rivotimi, betejë e vështirë, por nuk duhet parë si tabu
Pavarësisht vendimmarrjes më të fundit të KQZ për të mos marrë në konsideratë ankimimin e socialistëve për pavlefshmëri të zgjedhjeve në disa qendra votimi, këta të fundit janë të vendosur që t’i shkojnë deri në fund betejës ligjore për Bashkinë e Tiranës. Sekretari për çështjet ligjore në selinë rozë, Fatmir Xhafaj duke bashkëbiseduar me gazetarët ka bërë të qartë jo vetëm vullnetin për ta çuar këtë çështje sërish në Kolegjin Zgjedhor, por edhe ka paraqitur disa nga faktet që do të shoqërojnë këtë padi të re dhe që me shumë gjasa do të jetë e fundit për të gjithë këtë proces zgjedhor. Shkelja proceduriale dhe mosrakordimi i shifrave të numrit të votuesve që kanë marrë pjesë në votim dhe numrit të votave të gjendura në kuti, janë dy nga shtyllat kryesore ku socialistët mbështesin edhe këtë padi, bazë e së cilës është pavlefshmëria e zgjedhjeve në një numër të konsiderueshëm qendrash votimi dhe ripërsëritja e zgjedhjeve për gjithë bashkinë.
Faktet
Duke e konsideruar vendimin e fundit të KQZ-së si vulosjen e manipulimit të zgjedhjeve për kryetar të Bashkisë së Tiranës, Xhafaj ka sqaruar se PS e priste një vendimmarrje të tillë dhe se nuk përbën asnjë surprizë. Madje ai ka bërë të ditur se ankimimi në KQZ për pavlefshmërinë ishte një lëvizje taktike për të shmangur që një vendim i tillë të mund të merrej edhe nga Kolegji në këtë fazë. Xhafaj ka evidentuar para gazetarëve se vendimi të cilin PS goditi në KQZ dhe që tashmë do ta çojë dhe në Kolegj në mënyrë të qëllimshme, nuk përmbush detyrimet ligjore, duke mos përcaktuar afatet e ankimimit dhe kjo sipas tij vetëm e vetëm për ta vënë PS-në përballë një loje me procedurat. E duke marrë shkas nga një vendimmarrje e tillë, ai nuk ka ngurruar që të përgjithësojë të gjithë procesin paszgjedhor për kryeqytetin, si të manipuluar nga mazhoranca, duke akuzuar për këtë edhe disa nga gjyqtarët e kolegjit si të kompromentuar.
Padia
“Natyrisht, kjo që ka ndodhur dhe po ndodh është një gjë e turpshme! E papranueshme, moralisht dhe ligjërisht! Për ne është e qartë që është një betejë e vështirë”, - u shpreh Xhafaj duke pranuar në këtë mënyrë se shpresat për një vendimmarrje pozitive në favor të kërkesës së tyre janë të pakta. Përsa i përket çështjes së procedurave dhe afateve ai ka sqaruar se me vendimin e Kolegjit të datës 13 qershor për Bashkinë e Tiranës nuk kishte më një tabelë rezultati. Gjithashtu për Xhafën vet vendimi i KQZ-së për të rishpallur Bashën fitues, duke miratuar një tabelë të re rezultati, duke pasqyruar votat e dala nga procesi i dytë i verifikimit të votave të gjendura në kutitë e gabuara, tregon se Tirana që pas datës 13 qershor nuk kishte një tabelë rezultati dhe për rrjedhojë çdo subjekti i lindte e drejta për të bërë ankimim. Lidhur me thelbin e kërkesës asaj për pavlefshmëri, Xhafaj ka paraqitur disa nga argumentet apo faktet që do të bëhen pjesë e dosjes ankimore prej 61 faqesh që do të paraqitet në Kolegj. “Në 40 qendra votimi të cilat kanë qenë të balancuara më parë, para futjes së duarve nga Ristani me votat e pista të Lulit, numri i fletëve të votimit të gjetura në kuti është i barabartë me numrin e zgjedhësve. Këto janë transformuar në disa kuti të tjera. Mbas 14 majit, me futjen e duarve të pista në proces janë shndërruar në disa kuti votimi që kanë më shumë fletë votimi sesa zgjedhës, në total janë 75 fletë votimi më shumë vetëm te këto të 40, që do t’i kemi si prova”, - tha Xhafaj. Ai ka prurë në vëmendje se një gjë e tillë ka ndodhur edhe për 9 kuti të tjera të cilat në fillim ishin të balancuara dhe më pas dolën më pak vota sesa zgjedhës. Për të mbështetur këto pretendime socialistët do të paraqesin para kolegjit edhe tabelat e rezultateve për çdo qendër votimi, ato të firmosura nga grupet e numërimit dhe ato që kanë dalë pas procesit të numërimit të fletëve të gabuara. Por jo vetëm kaq, Xhafaj ka pranuar se gjatë kësaj kohe është bërë dhe këqyrja e të gjitha pamjeve filmime të regjistruara nga procesi i numërimit të votave në çdo GNV, ku sipas tij janë evidentuar shkelje të mëdha që kanë qenë në favor të kandidatit Lulëzim Basha. “Në kasetën filmike është e qartë. Kanë qenë 517 vota, nga të cilat në një rast, 501 janë konsideruar vota të vlefshme, 16 janë konsideruar vota të pavlefshme. Nuk ka në atë kasetë asnjë mundësi që të ketë fletë tjetër, sepse janë të gjitha fletët e verdha aty. Çuditërisht mbasi ka mbaruar numërimi në të janë shtuar katër fletë dhe të katërta për Lulzim Bashën”, - theksoi Xhafaj. Lidhur me pavlefshmërinë ai ka sjellë në vëmendje dhe një praktikë të vendosur nga Komisioni i Venecias, e cila e ka konsideruar këtë si diçka të mundshme në rastet e ngjashme si ky i Tiranës. Ai ka deklaruar gjithashtu se edhe rivotimi është një opsion për të cilën duhet të vendos Kolegji dhe që nuk duhet parë si tabu.