E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pa Beratin, Tiranën e Shkodrën, Berisha pa mandat

 

Aristir Lumezi

Kryesocialisti Edi Rama ka kërkuar sot publikisht nga KQZ të sqarojë dhe hetojë me detaje deri në fund të vërtetën e zgjedhjeve të 28 Qershorit. Rama theksoi gjatë një konference për shtyp dje në mesditë se PS nuk tërhiqet por, ashtu si Fieri, do të kërkojë mandatin e pestë në Berat, si dhe rinumërim të votave për Shkodrën e Tiranën megjithë të drejtën e plotë që i njeh ligji. “Hetimi i Beratit, Shkodrës e Tiranës, bazuar në të drejtën që na jep ligji, është detyrimi ynë ndaj një populli të tërë, i cili nuk mund të lejojë të shkelet prioriteti i tij. Populli i Beratit sot, ashtu si ai i Fierit dje, duhet të lexojnë në dritën e diellit vendimin e tij sovran të 28 qershorit dhe KQZ-ja e Sali Berishës nuk duhet të guxojë t’i mohojë Partisë Socialiste të drejtën ligjore për të kërkuar mandatin e 5-të përmes rivlerësimit të të gjitha votave të pavlefshme”, tha Rama, pas miratimit nga KQZ të rezultatit të qarkut të Fierit. Sipas Ramës, zvarritja me kutitë e Fierit nga ana e KQZ dëshmoi edhe njëherë qartë të vërtetën e vetme se “pa bërë transparencë mbi Beratin, Shkodrën e Tiranën, Sali Berisha nuk e ka marrë mandatin për të qeverisur edhe 4 vjet të tjera Shqipërinë”. Ndaj PS këmbëngul se në këto kushte “ne nuk do të pranojmë rezultate të imponuara në rrugën e shkeljes së ligjit, që tashmë është bërë rruga ku shkel KQZ e Sali Berishës”. Nisur nga kjo, Rama u shpreh se një kërkesë për të bërë transparencën e të gjitha kutive, ku ka dyshime, vjen si thirrje e përsëritur e mijëra zgjedhësve që kërkojnë përgjigje dhe transparencë të plotë për Shkodrën, Beratin e Tiranën. “Hetimi i Beratit, Shkodrës, e Tiranës bazuar në të drejtën e padiskutueshme që na jep ligji, është sot detyrimi ynë elementar ndaj një populli të tërë që nuk mund të shkelet në sovranitetin e tij”. “Të sqarohet deri në fund e vërteta e 28 qershorit dhe të hetohet deri në fund shpërndarja e votës dhe të hetohen, nga listat, deri te rezultatet e zgjedhjeve. Sot e deri në daljen e rezultatit, ne do të këmbëngulim dhe ndjekim hap pas hapi procesin e zbardhjes së të vërtetës në çdo kuti”, u shpreh Edi Rama. Kreu socialist, duke i dhënë të drejtë kërkesës së përsëritur, që selia rozë i bëri KQZ-së për numërimin e nëntë kutive të votimit të Libofshës, tha se kërkesa e PS ishte legjitime. “Shqipëria pa dje të vërtetën e fshehur me dhunë për dy javë rresht, në kutitë e marra peng nga Sali Berisha në Fier. Leximi deri në fund i verdiktit të popullit të Fierit, i dha Partisë Socialiste mandatin e 9-të dhe provoi katërcipërisht drejtësinë e qëndrimit tonë të prerë në këtë proces, duke nxjerrë në dritën e diellit të vërtetën se, edhe pa bërë transparencë mbi Beratin, Shkodrën e Tiranën, Sali Berisha nuk e ka marrë mandatin për të qeverisur edhe 4 vjet të tjera Shqipërinë”, u shpreh Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›