E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mimoza Goga u hodh në pus në 2007 nga dhuna e bashkëshortit

 

TIRANE - Mimoza Goga i dha fund jetës më 4 maj 2007 duke u hedhur në pus. Sipas organit të akuzës të kryeqytetit, 29-vjeçarja nënë e dy fëmijëve është gjetur e mbytur në pusin e ndodhur në oborrin e shtëpisë së saj, në fshatin Haskalije të komunës Ndroq. Me të konstatuar këtë ngjarje, familjaret dhe fqinjët e saj kanë mundësuar nxjerrjen nga pusi dhe dërgimin e saj në spital, por pa mundur kthimin e saj në jetë. Në lidhje me këtë ngjarje Prokuroria regjistroi një procedim penal, nën akuzën e shkaktimit të vetëvrasjes, por kjo dosje u mbyll për mungesë provash, ndërsa mes të tjerash organi i akuzës ka arsyetuar se në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një ngjarje kriminale. Nga ana tjetër, bashkëshorti i viktimës akuzoi se autorja e shtyrjes drejt vetëvrasjes të Mimozës ishte pikërisht nusja e vëllait të tij, e cila sipas tij kishte ushtruar dhunë. Pas pushimit të akuzës ndaj kunatës, bashkëshorti dhe i ati i viktimës i janë drejtuar gjykatës, duke pretenduar se çështja duhet të rihapej. Prokuroria ka nisur hetimet sërish, duke vënë në pranga 31-vjeçarin Goga, ndërsa është argumentuar se nga ekspertiza mjekoligjore ka dalë se në trupin e Mimozës janë gjetur shenja të freskëta, por edhe të vjetra dhune. Kurse vdekja, sipas mjekëve, ka ardhur nga asfiksia në ujë.                     f.m.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›