Shefi i SOCA me Berishën: Luftë pastrimit të parave
Tirane - Ambasada e Britanisë në Tiranë tha dje se drejtori SOCA-s, Agjencia drejtuese britanike kundër krimeve të rënda dhe të organizuara, po viziton Shqipërinë për të rikonfirmuar mbështetjen në luftën kundër krimit të organizuar. Sipas ambasadës, drejtori i SOCA-s në Britani, Bill Hughes, në një seri takimesh me Presidentin, Kryeministrin, ministrin e Brendshëm, Prokuroren e Përgjithshme dhe me agjenci të zbatimit të ligjit, do të theksojë rëndësinë e luftës kundër krimit, korrupsionit dhe realizimit të reformave urgjente për sundimin e ligjit. Ndërkohë rreth mesditës, zyrtari i lartë britanik zhvilloi një takim me Kryeministrin Sali Berisha. Burime zyrtare nga Qeveria thanë se Kryeministri i Shqipërisë priti dje në një takim drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë kundër krimeve serioze dhe të organizuara të Britanisë së Madhe, Bill Hughes. Berisha mësohet se është shprehur në takim se, "lufta me zero tolerancë ndaj krimit të organizuar është një prioritet parësor i qeverisë. Kjo platformë ka dhënë rezultate të shkëlqyera. Janë qindra grupe kriminale të shkatërruara dhe mbi 1000 persona të arrestuar. Niveli i përgjithshëm i krimit në Shqipëri është më i ulët se mesatarja e Bashkimit Europian. Për shkak të kësaj rënie ka edhe një ulje drastike të trafikut të drogës", mësohet të jetë shprehur Berisha në takim. Sipas tij, nuk ka asgjë më ndërkombëtare se krimi i organizuar, por përgjigjja e vendeve tona do të jetë po aq e organizuar. "Koordinimi më i mirë mes agjencive tona është kyçi i suksesit në luftën kundër krimit të organizuar. Qeveria shqiptare është e gatshme të nënshkruajë çfarëdo lloj marrëveshjeje me qeverinë britanike, por edhe me qeveritë e tjera në luftën kundër krimit të organizuar", ka theksuar më tej Berisha. Ndërkaq, drejtori i SOCA-s, Hughes është shprehur se, "Shqipëria është një aleat i çmuar i Britanisë së Madhe në luftën kundër krimit të organizuar". "Për shkak të goditjes që grupet e krimit të organizuar kanë marrë në Shqipëri, tani shoh një fenomen që elementë të krimit të organizuar po braktisin Shqipërinë dhe po mundohen të gjejnë strehë në vendet e rajonit. Ne do të kërkojmë që modeli i bashkëpunimit me ju do të shtrihet edhe në shtetet e tjera. Një fushë ku do të kërkoja të rrisnim bashkëpunimin, është ajo në luftën e përbashkët kundër pastrimit të parave dhe sekuestrimin e aseteve të krimit të organizuar", është shprehur Hughes në takim me Berishën. Më pas drejtori i SOCA-s zhvilloi një takim edhe me drejtorin e Përgjithshëm të Policisë, Ahmet Prençi, ku u diskutua për bashkëpunimin dypalësh. tr.so