E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Pa LSI kemi fituar më shuma vota, Topi qëllon me 'gurët' e Saliut

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, deklaroi dje në emisionin “Intervista” të gazetarit Alfred Peza në “Vizion Plus”, se do t’i fitojë zgjedhjet parlamentare të vitit të ardhshëm, me apo pa LSI-në. 

Çfarë po ndodh dhe kur pritet të konstituohet KQZ-ja? 
Me ligj procedura është e ndërtuar e tillë, që kryetari i takon gjithsesi shumicës. Dhe kjo është normale besoj unë, pavarësisht se shumica e këtushme është një shumicë që nuk ka asnjë moral, pasi ka dalë nga vota të vjedhura. Dhe ajo çka bën pala tjetër, përkatësisht opozita, është që skarton dy kandidatura dhe lë dy nga ato katër që mbeten në fund. Ne nuk do të marrim pjesë në atë votim, sepse procedura ishte në shkelje të vazhdueshme të vetë ligjit. Dhe në fund, nuk ka asnjë arsye për ne që të marrim pjesë në kurorëzimin e kësaj procedure.
Pra, do ta bojkotoni momentin e zgjedhjes së kryetares së re?
Nuk do të bojkotojmë, por nuk do të marrim pjesë në votim. Është vullnet i shumicës, dhe le të bëjnë çfarë të duan. 
A do t’i mbrojë Partia Socialiste votat, apo do të vazhdojë të nxjerri fajtore KQZ-në apo elementë të tjerë të piramidës elektorale? 
Unë jam i bindur që ne do t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme. Ndodhja më e sigurtë e votës është shumëfishimi i votës. Është pjesëmarrja në votim, është dhe nxitja e atyre përreth, e familjarëve, e fqinjëve, e miqve dhe e të njohurve që të marrin pjesë në votim. Sa më shumë shqiptarë dhe shqiptare që duan ndarjen nga kjo rrugë e vjetër e rrënimit të mëtejshëm të marrin në votim, aq më shumë është e garantuar vota e lirë e shqiptarëve.
Sa i përket reformës parlamentare, kryeministri Berisha deklaroi se PD tërhiqet nga kushtet që kishte vënë për kohën e diskutimit në Parlament mes liderit të mazhorancës dhe liderit të opozitës, duke pranuar më në fund barazinë. Tërhiqeni ju nga kushtet që kishit vënë për dekretet?
Ne pranojmë që për hir të përfundimit të kësaj reforme, dhe për hir të procesit të integrimit, të votojmë reformën me këto ndryshime të fundit. Dhe kështu përmbyllim një proces, që të krijojmë kushtet që parlamenti të funksionojë në mënyrë demokratike. Por sigurisht kjo do të jetë e garantuar; ne do të kemi shumicën në vitin e ardhshëm, dhe të sillemi jo në këtë mënyrë siç po sillet momentalisht me ne. 
Do e votoni ligjin për Gjykatën e Lartë nëse nuk zgjidhet çështja e Fierit? 
Jo. Në asnjë mënyrë dhe për asnjë arsye. 
Sa të pakënaqur jeni me ndërkombëtarët, - kjo thuhet edhe nuk thuhet, - por, sa të kënaqur jeni në fakt ju me ata? 
Komuniteti ndërkombëtar në Shqipëri ka pasur edhe orë më të mira. Por nga ana tjetër, kjo nuk lidhet më thjesht me komunitetin ndërkombëtar. Por kjo lidhet edhe me vullnetin e qeverisë për të dëgjuar dhe, me qasjen e atyre që qeverisin, apo atij që qeveris ndaj vetë procesit të demokratizimit, të modernizimit, të integrimit të Shqipërisë në Europë. Sepse duhet të jemi shumë realistë, që ndërkombëtarët nuk janë këtu për të qeverisur apo për të bërë opozitën. Ndërkombëtarët janë këtu për të ndihmuar, se kur flasim për ndërkombëtarët flasim për aleatët tanë, partnerët dhe miqtë tanë, të cilët janë këtu për të ndihmuar, për të mbështetur Shqipërinë. E sigurisht edhe vetë Zoti më duket se thotë: “Më ndihmo, të të ndihmoj!”. E jo më pastaj miqtë e partnerët, që mund të na ndihmojnë më shumë seç mund t’i ndihmojmë ne ata. 
A do të shkojë Spartak Ngjela tek FRD-ja e Bamir Topit? 
E çmoj për rezistencën e tij të fortë opozitare, dhe besoj se përpara se të vendoste që të shkonte ai tek Bamir Topi, do të ishte i sigurtë se ku do shkonte Bamir Topi pas zgjedhjeve. 
Po paralajmëroni rezultat negativ për z. Topi… 
Jo, jo. Unë e kam thënë dhe e përsëris, që Bamir Topi është i lidhur pazgjidhshmërisht me të djathtën dhe kam më shumë arsye të besoj, se pas zgjedhjeve do të ishte i gatshëm të ribashkohej me atë pjesë të kalbëzuar të së djathtës e cila sot i është kundërvënë, se sa të bënte një zgjidhje tjetër. Ai thotë për mua ‘ciu-ciu, zbrit nga pema’. Pra e shihni që qëllon me ‘gurin’ e Saliut. Dhe në këtë pikë nuk besoj se do të kishte me vete Spartak Ngjelën. 
E rëndësishme është që të kuptojmë se sa vagonë do të ketë treni i PS-së, lokomotiva e të cilit do të jeni ju… 
Unë kam bindjen se ka ende shumë rezerva të pashfrytëzuara ashtu siç duhet. Ndër trupat zgjedhore dhe aleatin më të fortë ka pikërisht këtë potencial, - në rast se arrin ta kthejë në aleat. E kam fjalën për potencialin e shumë zgjedhësve që kanë nevojë të na dëgjojnë më shumë, që të na kuptojnë më mirë dhe që të na besojnë më shumë për të mundur që të na bashkohen. 
Një nga seritë më interesante të telenovelës politike të Tiranës është raporti juaj me Ilir Metën. Jeni pajtuar? Jeni zënë? Jeni bashkuar? Jeni baraslarguar apo barasafruar? Ka diçka më tepër për të thënë më tepër për këtë pikë? 
Thjesht kemi vendosur një komunikim normal në kuptimin e një komunikimi formal. Një gazetar në Bruksel më tha se ‘aty u takuam si parti simotra’. ‘Jo, - i thashë, - u takuam si dy parti komshije. Në njërën anë të rrugës, që është trotuari i opozitës, dhe LSI-ja që është në anën tjetër, që është në trotuarin qeverisës’. 
Ka nga ata njerëz që mendojnë se PS-ja nuk kthehet në pushtet në qoftë se PS-ja nuk bën aleancë me LSI-në… 
Juve e quani mit, por kjo është një qasje e gabuar. Do të jap disa shembuj: PS-ja së bashku me LSI-në në Durrës në vitin 2007 fitoi me afro 300 vota, ndërsa pa LSI-në fitoi në Durrës më shumë se 3000 vota në vitin 2011. PS-ja së bashku me LSI-në në Elbasan fitoi në kutinë e fundit në 2007, dhe fitoi me mbi 5000 vota në vitin 2011. PS-ja bashkë me LSI-në nuk fitoi as në Laç, as në Kavajë, as në Tepelenë dhe as në Mallakastër. Dhe pa LSI-në në vitin 2011 fitoi këto dhe më shumë se këto, dhe mos t’i numërojmë tani të gjitha. Dhe ka një arsye tek këto fitore. Arsyeja është se në dy vjet, PS-ja në këto territore arriti që të krijojë një rienergji fantastike për një betejë politike për zgjedhje të ndershme, dhe një organizimi njerëzor për të përfshirë në procesin zgjedhor shumë më tepër njerëz dhe shumë më tepër, ata njerëz që nuk ishin përfshirë më parë. Pra, nëse ne do të kthejmë sytë dhe do të dëgjojmë me vëmendje dhe do t’u flasim me pasion politik dhe me vendosmëri për të ardhmen shumë shqiptarëve që nuk duan të dëgjojnë më zërin dhe nuk duan t’i shohin bojën më kësaj qeverie, por kanë ende dyshime të arsyeshme lidhur me atë çka mund të bëjmë ne, atëherë me padiskutim ne do të jemi fitues bindës të zgjedhjeve të ardhshme, dhe nuk kemi nevojë të hyjmë në dilema të kësaj natyre. Ne do t’i fitojmë zgjedhjet e ardhshme si opozitë dhe me frontin opozitar dhe me këdo që ndodhet në frontin opozitar. Dhe as nuk do të presim kënd, dhe as do t’i lutemi kujt që të bashkohet me ne. Kush do të bashkohet, me ne vija e frontit opozitar është e hapur, dhe ne nuk do të vëmë kushte për askënd. Por nga ana tjetër, nuk e kushtëzon asnjë forcë fitoren tonë, përveç forcës sonë të brendshme për të krijuar siç e thashë një sinenergji të madhe mes elektoratit shqiptar, dhe për t’i hapur rrugë asaj rilindjeje shqiptare tek e cila unë besoj me mish e me shpirt, përditë e më shumë, se është një domosdoshmëri përballë rrënimit të mëtejshëm. Unë e kam ndarë mendjen që ne do t’i fitojmë zgjedhjet. Dhe e kam ndarë mendjen që ne edhe mund t’i fitojmë zgjedhjet duke pasur si gravitet të betejës sonë Partinë Socialiste, elektoratin socialist dhe progresist, shqiptarët dhe shqiptaret që, pavarësisht nëse mund të jenë apo jo socialistë, janë të dëshiruar për një ndryshim dhe për të vënë në provë këtë forcë. 
Edhe me ndihmën e Bamir Topit dhe AK-së? 
Partia e re e Bamir Topit është një PD e re. Se sa e madhe është, këtë do ta tregojë procesi zgjedhor dhe vota. E kam thënë edhe e përsëris: Vija e frontit opozitar është e hapur. Për mendimin tim, këtu nuk jemi në një sistem normal ku ka vend për forca që rrinë në mes. Forcat që rrinë në mes nuk janë asnjë garanci për votuesin opozitar, ndërkohë që Bamir Topi dhe FRD mund të jenë garanci për votuesin e djathtë që është i zhgënjyer apo dyshues përballë këtij bataku korrupsioni, por që nuk e përkul dot kërthizën me të djathtën për t’u hedhur siç janë hedhur guximtarët e djathtë, siç është hedhur Spartak Ngjela në frontin opozitar me këtë pushtet, i cili nuk është një qeverisje demokratike, por është një regjim që kërcënon Shqipërinë.
(ma.ar/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›