Rama: Pa hapur kutitë, nuk ka opozitë në Parlament
Edhe një herë tjetër, Rama ka theksuar se pa hapjen e kutive të votimit nuk do të ketë dialog. “Ne nuk vëmë kushte, po themi vetëm që dialogu duhet të jetë demokratik, i barabartë, i vërtetë, i hapur për çdo zgjidhje të krizës së rëndë dhe në asnjë mënyrë mjet shpëtimi për një pushtet që hedh lumin e vret kalin. Ne nuk vëmë kushte, po themi që dialogu duhet të jetë i barabartë, i drejtë dhe jo një mjet i pushtetit sa për të kaluar radhën. Nëse duan dialog, duhet të krijojnë kushte për dialog dhe jo vetëm për ta kthyer opozitën në parlament. Nuk ka opozitë në Parlament pa transparencën e 28 qershorit”, deklaroi Rama para simpatizantëve. Ai shtoi se “ne nuk jemi kundër dialogut, por më parë duhet të heqin dorë nga kushti i moshapjes së kutive, duke i dhënë fund gënjeshtrës së gënjeshtrave, që medemek hapja e kutive qenka në kundërshtim me vendimin e gjykatës”. Më tej, kreu socialist ka përmendur si një sërë faktorësh, si krizën ekonomike, mos liberalizimin e vizave, problemet në bujqësi, etj, të cilat sipas Ramës tregojnë dështimin e kësaj qeverie.