E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Partneriteti për siguri dhe mbrojtje, konstante e marrëdhënies sonë me BE-në

TIRANË, 8 prill/ATSH-Maela Marini// Kryeministri Edi Rama, në një konferencë të përbashkët për shtyp me Përfaqësuesen e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian, Kaja Kallas, u ndal te bashkëpunimi strategjik në fushën e sigurisë.

Kryeministri nënvizoi se siguria është një temë gjithmonë e më qendrore në jetën e përditshme dhe politikën e BE-së.

Rama solli në vëmendje një anketë të fundit të bërë me vendet e BE-së për popullaritetin e BE-së, një anketë që kryhet qysh prej vitit 1983.

“Rezulton se pikërisht që nga viti 1983 mbështetja e BE-së nga popujt që e përbëjnë është më e larta ndonjëherë, gjë që nuk ndodhte deri pak kohë më parë sepse popujt e Europës sot më shumë se asnjëherë më parë e ndiejnë që lufta nuk është një film bardhezi i të shkuarës dhe as një ngjarje spontane që ndodh në kufijtë e Europës, por është një kërcënim real ndaj të cilit Europa duhet të shtrëngojë radhët dhe të forcohet. Pa diskutim që pjesë e këtij angazhimi është edhe Shqipëria në përmasën e vetë”, shtoi Rama.

Gjithashtu, kryeministri theksoi se “partneriteti për sigurinë dhe mbrojtje që e kemi nënshkruar së bashku dhjetorin e kaluar është një hap që pasohet nga të tjerë hapa”.

“Praktikisht dialogu për këtë partneritet do të jetë një konstante e vazhdueshme e marrëdhënies sonë me BE-në përpara anëtarësimit. Por patjetër pjesë e këtij partneriteti Shqipëria do të jetë edhe si anëtare e BE-së”, tha Rama.

Kryeministri nënvizoi domosdoshmërinë e suksesit në këtë përpjekje për mbylljen e negociatave brenda vitit 2027.

“Më vjen shumë mirë që Kallas është një mbështetëse e palëkundur e këtij procesi, një mbështetëse e palëkundur e unifikimit të gjithë Europës nën ombrellën e BE-së dhe një mbështetëse deri tani e palëkundur e Shqipërisë që është një vlerë e shtuar për ne. Ne e çmojmë shumë qoftë në aspektin institucional dhe në aspektin personal Përfaqësuesen e Lartë e cila vjen edhe në këtë vizitë në një kohë shumë shumë të veçantë për të gjithë ne. Njëkohësisht bashkëpunimi ynë është një bashkëpunim te i cili ne besojmë shumë dhe te i cili ne do të jemi investuar çdo ditë dhe gjithmonë të njehsuar në qasjen tonë ndaj BE-së”, siguroi Rama. /j.p/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›