Kallas: Do të lançojmë dialogun e parë BE-Shqipëri për sigurinë

TIRANË, 8 prill /ATSH/ Përfaqësuesja e Lartë për Politikën e Jashtme dhe Sigurisë së Bashkimit Europian dhe zv.presidente e KE-së, Kaja Kallas deklaroi sot nga Tirana se “Shqipëria është një partner i fortë i BE-së dhe një aleat i NATO-s, në përputhje të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë të BE-së”.
Në konferencën e përbashkët me Kryeministrin Edi Rama, Kallas vlerësoi vendimin e Shqipërisë për zbatimin e sanksioneve kundër Rusisë.
“Vendimi juaj për të zbatuar plotësisht sanksionet e BE-së kundër Rusisë së bashku me mbështetjen humanitare që i keni dhënë Ukrainës, tregon në fakt përkushtimin tuaj ndaj vlerave të BE-së dhe në aspektin politik kjo nuk është gjithnjë e lehtë për tu bërë”, tha ajo.
Gjithashtu, vijoj ajo, “ju jeni të vlefshëm shumë sa i përket bashkëpunimit në rajon në mbështetjen e autoriteteve për të pasur një mjedis të qetë edhe në Bosnjë Hercegovinë. Për BE ne jemi të angazhuar sa i Shqipërisë dhe bashkëpunimi ynë sjell të mira për të dyja palët”, tha ajo.
“BE është e angazhuar për të fuqizuar marrëdhëniet më tej me Shqipërinë dhe për ju ne jeni partneri më i fortë tregtar. Një nga angazhimet e para që kam patur ka qenë nënshkrimi i partneritetit BE-Shqipëri për sigurinë dhe mbrojtjen, që ndodhi në dhjetor dhe ne sot do të shohim edhe frytin e parë, pasi do të lançojmë edhe dialogun e parë BE-Shqipëri për sigurinë dhe mbrojtjen”, tha Kallas.
Ajo theksoi se ky është një hap i rëndësishëm, që thellon më tej bashkëpunimin në sektorin e sigurisë.
“Ne duam ta zgjerojmë më tej bashkëpunimin në fusha ta reja me Shqipërinë, si psh për të luftuar kërcënime hibride, por edhe sigurinë kibernetike dhe të luftojmë terrorizmin. BE ka ofruar rreth 13 milionë euro financime për të përmirësuar përgatitjen e Forcave të Armatosura në Shqipëri. Gjithashtu ne kemi zgjeruar edhe prokurimin sa i përket kësaj çështjeje dhe ky është një diskutim që po e bëjmë me të gjitha vendet dhe Shqipëria mund të përfitojë në rast se zgjedh të jetë pjesë”, vijoi Kallas.
“Por bashkëpunimi ynë shkon përtej sigurisë”, u shpreh ajo.
“Shqipëria ka një agjendë ambicioze për të përfunduar negociatat me BE-në në dy vitet e ardhshme. Nuk ka ndonjë rrugë të shkurtër për të arritur në BE, përveç performancës së duhur në reforma dhe reformat janë të vështira por ju kemi mbështetjen tonë të plotë sa i përket çeljes së grup-kapitujve të tjerë dhe përmbushjes së standardeve të sundimit të ligjit”, tha Kallas.
Ajo theksoi se e ardhmja e Shqipërisë është në BE. /j.p/