E Hënë, 2 Nëntor 2026

Rama: Për herë të parë, fond i posaçëm për barnat e Onkologjikut

TIRANË, 15 nëntor/ATSH/ Kryeministri, njëherazi Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama në vazhdën e dëgjesave publike që po zhvillon me qytetarë të njësive të ndryshme në Tiranë, u shpreh sot se është bërë një transformim sa i takon infrastrukturës spitalore në vend.

Në takimin me banorët e Njësisë Nr.3 në kryeqytet, Rama tha se me buxhetin e vitit 2026 rriten të gjitha angazhimet e shtetit, investimet dhe të gjitha ato shpenzime të solidaritetit shoqëror për pjesën që i takon kategorive më në nevojë.

Rama tha se është bërë shumë për transformimin infrastrukturës së spitaleve dhe të logjistikës së spitalit Onkologjik.

“Jo vetëm në Shqipëri, por edhe në gjithë botën, kemi një rritje të vazhdueshme të numrave të njerëzve që preken nga kanceri. Dhe kjo do të thotë një rritje e barrës për t’u kujdesur për më shumë njerëz. Ajo që ka ndodhur para disa kohësh në spitalin Onkologjik mund të jetë harruar, por jo për ne. Problem kryesor që shkakton edhe pasoja si ato që pamë në ngjarje aq revoltuese në spitain Onkologjik është se barnat për kurimin e kancerit janë shumë të kushtueshme”, pohoi Rama.

“Ne shërbimin spitalor e ofrojmë falas për të gjithë dhe kjo gjë shpesh përqeshet dhe harrohet. Dhe pavarësisht se janë të siguruar ose jo, njerëzit që trokasin në derën e spitalit marrin njësoj përkujdesje. Duke qenë se barnat janë shumë të kushtueshme, numri i pacientëve nuk është i vogël, atëherë për vite na ka ndodhur që të mos u përgjigjemi nevojave, pastaj krijohen situata të tjera”, vijoi ai.

Kreu i Ekzekutivit u shpreh se në buxhetin e vitit që vjen për herë të parë është vendosur një fond i posaçëm për të mbuluar të gjithë nevojën për barnat e Onkologjikut.

“Kështu do të bëjmë të mundur që të gjithë ata që do trokasin në derën e atij spitali për të luftuar për jetën e tyre të mos ndjejnë mungesën e përkujdesit për shkak të mungesës së barnave”, pohoi Rama. /j.p/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›