11 ide inovative për trajtimin e mbetjeve bio

TIRANË, 15 nëntor /ATSH/ 11 kompani vendase prezantuan zgjidhje inovative për menaxhimin e mbetjeve bio në kuadër të thirrjes kombëtare Bio-Waste Innovation Challenge, mbështetur nga programi Programi BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete te Jetueshme.
4 kompanite fituese përfitojnë grante në vlerë deri në 200,000 euro, për të testuar zgjidhjet e tyre në kushte reale tregu, një hap konkret drejt punësimit të gjelbër, investimeve lokale dhe zhvillimit të qëndrueshëm dhe ekonomisë qarkulluese. Propozimet përfshijnë zgjidhje innovative në trajtimin e mbetjeve bio përmes metodave të shumta të kompostimit krysisht në bashkitë Divjakë, Lushnjë dhe Krujë.
Ky aktivitet dëshmon se inovacioni dhe sipërmarrja mund të transformojnë sektorin e menaxhimit të mbetjeve në Shqipëri, duke reduktuar ndikimin në mjedis dhe duke çuar përpara negociatat për anëtarësim në BE, vecanërisht Kapitullin 27.
Ministri i Mjedisit Sofjan Jaupaj gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve vlerësoi rolin e sektorit privat në menaxhimin e mbetjeve në vend dhe krijimin e mundësive të reja ekonomike si një hap I rëndësishëm drejt integrimit të vendit në BE.
Mbetjet organike përbëjnë rreth 60% të mbetjeve bashkiake në Shqipëri, por ato mbeten kryesisht të patrajtuara. Zgjidhjet e prezantuara ofrojnë mënyra praktike për trajtimin e tyre, duke ulur përdorimin e vend-depozitimeve dhe emetimet e gazeve serrë.
Zgjidhjet inovative janë thelbësore për tranzicionin e gjelbër të Shqipërisë dhe për përmbushjen e standardeve mjedisore të BE-së, vlerësuan përfaqësuesit e Delegacionit të BE-së në Shqipëri dhe Ambasadës Gjermane,
Bio-Waste Innovation Challenge zhvillohet në kuadër të projektit “BE për Ekonominë Qarkulluese dhe Qytete të Jetueshme” i bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian (BE) dhe Ministria Federale Gjermane për Bashkëpunim Ekonomik dhe Zhvillim (BMZ), dhe zbatohet nga GIZ Albania në partneritet me Ministrinë e Mjedisit dhe synon të nxisë krijimin e tregjeve të reja për trajtimin e mbetjeve organike dhe zhvillimin e produkteve të gjelbra. Kjo qasje kontribuon në reduktimin e mbetjeve të patrajtuara dhe mbështet përmbushjen e standardeve mjedisore të Bashkimit Evropian.
1 nga 6
e.xh/j.p/