Rama: Policët e lënduar janë dy herë e gjysmë më shumë se protestuesit dhe kalimtarët

TIRANË, 21 tetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, gjatë një dialogu virtual me një student protestues, komentoi edhe dhunën gjatë protestave të ditëve të fundit.
Rama tha se beson që të rinjtë nuk i urrejnë policët, por sipas tij, dhuna e ushtruar në protesta lidhet me një frymë urrejtjeje të ngjashme me atë të grupeve ANTIFA dhe Black Bloc në Europë.
Duke iu përgjigjur shqetësimit të studentit për përdorimin e forcës ndaj protestuesve dhe të miturve, Kryeministri solli në vëmendje protestat e së kaluarës.
“E besoj që ju nuk i urreni policët, sepse ju i hidhni gurët dhe molotovët në emër të një urrejtjeje më të lartë parimore, gati-gati idealiste, sipas jush, urrejtja e ANTIFA-s, urrejtja e Black Block-ve, urrejtja e të gjithë atyre që janë lëshuar nëpër Europë, si një lukuni që nuk di fare se ku do dalë, por di ama që duhet të shkatërrojë. Dhe në fakt, dhuna më e egër dhe pasojat më të çnjerëzore në kurrizin e popujve dhe vendeve kanë ardhur pikërisht nga ajo lloj urrejtjeje.
Kur tërhiqej këmbëza që ti e imiton pa t’u trembur syri, madje m’u aty ku je ulur ti, nga ku protestuesit mbeteshin të vdekur dhe tërhiqeshin të plagosur nga bulevardi. Megjithatë, nuk shkulej asnjë gur trotuari dhe nuk i gjuaje me molotov policisë, e nuk shkatërroheshin bizneset e njerëzve të zakonshëm të këtij vendi. Ndërsa të miturit as që nuk afroheshin dot në ato protesta, sepse kush protestonte nuk përdorte të mitur dhe nuk paguante kapuçonë të zinj për të sakatuar dhe për të djegur policët, e për të marrë peng një popull të tërë, duke i sjellë fantazmën e një të kaluare që nuk vjen më”, tha Rama.
Rama tha se bazuar në përvojën e spitaleve të Tiranës, numri i policëve të lënduar është dy herë e gjysmë më i lartë se ai i protestuesve dhe kalimtarëve të lënduar.
“Kjo në fakt është përvoja e Instagram-eve dhe TikTok-eve tuaja, e amplifikuar nga ekranet e korruptuara të pronarëve të mediave, ku policia është dhunuesja, ndërsa studentët janë të dhunuarit. Ndërkohë që përvoja e mjekëve dhe infermierëve të spitaleve të Tiranës është se policët e lënduar janë dy herë e gjysmë më shumë sesa protestuesit dhe kalimtarët e rastit bashkë. Ndërsa studentët e vërtetë, mes të lënduarve, janë ku e ku më pak akoma”, tha ai.
/m.q/r.e/