E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Policia po ushtron terror ndaj mbështetësve të opozitës

Kreu i PS-së, Edi Rama, ka reaguar për dhunimin e dy mbështetësve të opozitës nga ana e policisë. Rama e ka dënuar rëndë këtë akt, duke thënë se përgjegjësit do të përgjigjen në mënyrë të drejtëpërdrejtë.

Gjatë fjalës së tij, Rama ka thënë se Berisha nuk mund ta trembë popullin dhe opozitën, të cilët do të qendrojnë deri në fund përballë tij.

Rama i ka bërë edhe një herë apel komunitetit ndërkombëtar që të reagojë. Sipas tij, ndërkombëtarët duhet të shprehen në mënyrë të qartë, pasi ngurrimi i tyre mund të ketë pasoja të rënda për Shqipërinë.

Kreu i opozitës ka pohuar se nëse Berisha vijon me rrugën që ka nisur, opozita nuk do të njohë qeverinë, parlamentin dhe institucionet e tjera shtetërore.

Policia ka rrahur mbrëmë dy djem të rinj, dy malësorë, mbështetës të PS-së. Ata janë rrahur barbarisht, duke u gjakosur dhe duke u lënë pa ndenja. Por, policia jo vetëm që nuk i ndaloi dhunuesit, por arrestoi këta djem. U them drejtorit të Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj dhe atij të Policisë së Tiranës, Sajmir Muçaj, se do përgjigjen drejtëpërdrejt për këtë dhunë. I them Saliut, i cili është iniciatori i kësaj dhune, se nuk mund të na trembë me policinë. Nëse Berisha nuk tërhiqet nga rruga që ka nisur, ne nuk do ta njohim qeverinë dhe parlamentin. Dua të përsëris edhe njëherë falenderimet për komunitetin ndërkombëtar për mbështetjen, duke kërkuar nga ata që mos ta lënë Shqipërinë në tatëpjetën e rrezikshme ku po e shtyn kryeministri Sali Berisha. Populli shqiptar meriton një demokraci të qëndrueshme, por ajo që ndodhi mbrëmë me ata dy djem dhe me atë që po bën KQZ-ja, shkon në drejtim të kundërt me aspiratat e Shqipërisë. U bëj thirrje ndërkombëtarëve që të ndërhyjnë sa nuk është vonë. Ngurrimi për të folur qartë, duke u shprehur me parime universale, mund të ketë pasoja të paparashikueshme për këtë vend dhe njerëzit e tij. Populli mund të vidhet, por nuk mund të tredhet. Opozita është me popullin. Ne dhamë gjithë kontributin tonë për zgjedhjet e 8 majit dhe për të përmbushur detyrat tona. Fituam bindshëm në këto zgjedhje dhe kjo u pa qartë nga miliona njerëz, tha gjatë fjalës së tij Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›