E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Prindërit dhe mësuesit duhet të jenë bashkë përballë furtunës së rrjeteve sociale

TIRANË, 26 nëntor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, tha se, “nëse nuk ka një bashkim rreth shkollës dhe komunitetit të prindërve dhe mësuesve, për të bashkuar forcat që të ndajnë shqetësimet, është vështirë të përballohet furtuna e rrjeteve sociale dhe marrëdhënia e fëmijëve me to, aq më tepër kur i lë këto rrjete jashtë kontrollit”.

I pranishëm në një takim në shkollën “Sami Frashëri”, me një përfaqësi prindërish që drejtojnë Këshillat e Prindërve dhe anëtarë të këshillave në shkolla të ndryshme të Tiranës, Rama theksoi se, sot ne duhet të jemi të vetëdijshëm se pavarësisht problematikave që mund të ketë prindi, sot jetojmë në një botë ku ka hyrë një autoritet tjetër që prish sa herë klikon pa orientim dhe mendje, çdo gjë që ndërtohet nga prindi dhe mësuesi.

“Hyn këtu dhe ta bën të lehtë, të bën të kundërtën e asaj që për të gjithë fëmijët, prindi është një barrë, është personi që të rri mbi kokë dhe të lodh me këshilla dhe kritika, sot kjo është bërë e tmerrshme. Ne si shoqëri e dimë që është ky fakt, duhet ta pranojmë këtë dhe të shikojmë çfarë po bëjnë vendet e tjera, që po përpiqen ta drejtojnë, por përgjigje të prerë nuk kanë.”

Sipas tij, filtrat që të ndash moshat, duhet të vësh identifikimin dhe bie ndesh mbi anonimatin, por filtrat janë ende shumë larg për të vënë një tavan.

“Australia për shembull e ka çuar një hap më lart masën për të gjitha rrjetet dhe pritet të kalojë dhe ligjin në parlament, që do t’i japin 12 muaj kohë një autoriteti që merret me monitorimin e rrjeteve digjitale. Ndërsa Kina është vendi që ka TikTok dhe aty është si një shkollë, sepse algoritmi bllokon të gjitha gjërat e tjera, ndërsa në vendet e tjera jo”, u shpreh Rama.

Kryeministri e cilësoi çmenduri dhe reagimin e medieve dhe kanaleve televizive që, siç tha ai, mezi presin rastin me lajme të tilla.

“Nëse shikon shifrat e kriminalitetit ato shkojnë në rënie, ndryshe kur ishin shumë raste, por ndodh një vrasje si kjo që prek shumë thellë dhe është shumë e tmerrshme që bëhet TikTok i gjithë mjedisi”, tha ai.

/r.e/a.f/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›