E Shtunë, 31 Tetor 2026

Po zbardhet komploti dhe manipulimet e videos që prodhoi 21 janarin

01-11-2011 / Gazeta 55

Producenti Rama, skenaristi Topi dhe regjizura e Prokurorisë, janë tronditur nga ekspertiza që zbuloi një opozitë të korruptuar, e cila zbulon preludin e puçit të 21 janarit, dhe s’po verifikon si kurban vetëm të zotin e Çimkës, por edhe autorët e një projekti politik revolucionar, që nga paniku, rrezikon të përfundojë në një përplasje brenda llojit

E ashtuquajtura videoja e skandalit Meta – Prifti, nuk është origjinale, por një material i manipuluar. Ndërsa në këtë konkluzioni kanë arritur ekspertët e ngarkuar nga Gjykata e Lartë për të ekzaminuar filmimet e gjetura në “lap topin” e ish ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, këto fakte, njëherazi denoncojnë komplotin, që ishte pjesë e një skenari në 21 janar, për grusht shteti. Dhe nuk mund të harrohet se në këtë tentativë të dështuar për puç shteti, në tavë ishin Presidenti e Prokurorja, që për mandatet e tyre, ishin përfshirë në prodhimin antikushtetues të një mandati të pamerituar për Edi Ramën.
Deklarimet profesionale, të shkruara edhe e zeza mbi të bardhë, nga ana e ekspertëve, janë dëshmia më e mirë shkencore, se po zbardhet skema korruptive dhe se nuk po verifikon si kurban vetëm të zotin e Çimkës, por edhe autorët e një projekti politik revolucionar, që nga paniku, rrezikon të përfundojë në një llagëm lufte civile se kush e kush ta shesë autorësinë e Puçit të 21 janarit.
Eskpertët Ardjan Pollo, Ermal Beqiri dhe Artur Rrahmani, kanë arritur në përfundimin se në materialin audio-viziv të bisedës, ka ndërhyrje dhe mbivendosje dhe se nuk ekziston materiali origjinal.
“Në mungesë në një dokumenti origjinal me përmbajtje audio-video Meta-Prifti në orë, nga ekzaminimi u konstatuan ndërhyrje dhe mbivendosje të mundshme, në file-in (dokumente elektronike) e gjetur në ‘lap top’. Gjatë ekzaminimit të materialit audio-video, arritëm në deduksionin që tik-taku i orës është i linearizuar në gjithë gjatësinë e tij me sekondat e ‘time-line’. Në minutën 11:25, konstatohet gjurmë e ngjashme me një tik-tak, jo në harmoni me tik-takët e tjerë. Në minutën 12:35, vihet re sërish një tik-tak i mbivendosur, kryesisht ‘anomali të konstatuara gjatë analizimit të spektrit të frekuencave me intervale kohore të ndryshme’”, thuhet në raportin e tre ekspertëve.
Ndërhyrjet sipas ekspertëve, mund të jenë bërë me një program të posaçëm që gjendej në “lap topin” e Dritan Priftit dhe që më pas ishte fshirë.
“Duke parë deformimet anormale të kurbës së sinjalit në pikat e mësipërme, konkludojmë se probabiliteti i ndërhyrjeve të mundshme, rezulton të jetë shumë i madh. Gjatë ekzaminimit të lap topit, të faileve të fshira, është konstatuar se ekziston edhe një program i fshirë, i quajtur ‘crazytalk animator’ i kompanisë ‘Real-Ilusion’, i cili përdoret për ndërhyrje audio/video”, shpreheshin ekspertët në konkluzionet e tyre.
Në orën nga ku pretendohet se është bërë përgjimi, ekspertët nuk kanë gjetur asnjë material, çka do të thotë se video e paraqitur në prokurori, nuk është origjinalja.
“Në objektin e ekspertimit provë-material-orë, nuk u gjet asnjë gjurmë e bisedës Meta-Prifti, por u gjet një material tjetër audio-video, si dhe një seri imazhesh që mbushën memorien e saj. Imazhet nuk kanë origjinë nga kamera e objektit ‘orë’”, mësohet të kenë arritur në përfundim të ekspertizës, ekspertët e videos.
Por, krahas mundësisë së lartë të manipulimit, ekspertët kanë arritur në përfundimin se biseda e regjistruar nuk është e kuptueshme, as përmes programeve të specializuara. “Raporti teorik sinjal/zhurmë që nuk mund të lejojë kuptimin e artikulimit të fjalëve të biseduesve, është 90 dB. Shkencërisht është provuar se ka kuptueshmëri të sinjalit audio, kur raporti sinjal/zhurmë, mesatar dhe i pjesshëm, i kalon 10 dB, i cili është standard ndërkombëtar. Bazuar në grafikun e përgjigjes së mësipërme, cilësia e materialit audio të failit është e keqe dhe sa vjen e përkeqësohet. Një nga shkaqet kryesore mund të jetë rënia e baterisë së brendshme, pasi në fund të regjistrimit, aty ku pasqyrohet biseda Meta-Prifti, sinjali audio bëhet shumë i dobët, kurse zhurmat rriten. Në këtë pjesë të regjistrimit audio/video, raporti sinjal/zhurmë është rreth 0 dB. Në asnjë pikë të grafikut ku është regjistruar zëri i z. Meta, raporti sinjal/zhurmë, nuk i ka vlerat e kërkuara prej 10 dB. Në grafik dallohet që sinjali audio luhatet nga -3.4 dB në -9.2 dB”, vijojnë më tej ekspertët.
Përmes teknikave të specializuara, ekspertët i kanë dhënë përgjigje edhe pyetjes nëse mund të zhduken apo tjetërsohen të dhënat elektronike audio dhe video pa lënë gjurmë. Sipas tyre, kjo është e mundur. “Po. Teknikisht me pajisje elektronike dhe me programe të ndryshme, mund të zhduken apo tjetërsohen pa lënë asnjë gjurmë, të dhëna elektronike audio dhe video”, shprehen ata.
Po kështu, ekspertët thonë se është i mundur dhe montimi i “time-code”, datës, orës, frekuencës, thellësisë së kampionimit, ndriçimit dhe etj. “Të gjitha janë të mundura me përdorimin e kompjuterëve dhe softeve përkatëse. Mungesa e regjistrimit audio/video origjinale në orën e objekt ekspertimit, nuk na mundëson konstatimin e montimeve apo ndërhyrjeve sepse ne nuk kemi origjinalin, objekt/krahasimin”, citohen të kenë deklaruar ekspertët.
Në konkluzionet përfundimtare të ekspertëve, përveç faktit se videoja origjinale mungon, mundësisë së lartë të ndërhyrjeve, pa kuptueshmërisë, theksohet se materiali i sekuestruar në redaksinë e emisionit “Fiks Fare”, i pari që e publikoi atë, nuk është i njëjtë me materialin e gjetur në “lap topin” e Dritan Priftit. “Në objektin e inspektimit provë-material-orë, nuk u gjet asnjë gjurmë e bisedës Meta-Prifti, por u gjet një material tjetër audio-video si dhe një seri imazhesh që mbushën memorien e saj. Imazhe të cilat nuk kanë origjinë nga kamera e objektit ‘orë’. Objekti i ekspertimit ‘orë’, lejon shkarkimin me pajisje të tjera elektronike. Nuk është e mundur të përcaktohet me ekzaktësi ‘ora’ dhe data gjeografike e hedhjes, shkarkimit në lap top videoja e bisedës Meta-Prifti. Nga ekspertimi u konstatua se probabiliteti i ndërhyrjeve është i lartë, në kuptimin e fshirjes dhe montazhit audio te faili ‘Dritan Prifti’ (dokumenti i gjetur në lap topin e Priftit). Materiali audio/video i ndodhur në DVD-në e sekuestruar në redaksinë e emisionit ‘Fiks Fare’, nuk është i njëjtë me materialin e gjetur në ‘lap topin’ e Priftit. Nga analiza e grafikëve të fuqisë audio dhe video të bisedës Meta – Prifti, rezulton se ajo është nga – 3.1 deri në – 9.2 dB dhe është pjesë e pakuptueshme për veshin e njeriut. Nga ekspertimi u konstatua se probabiliteti i shenjave të ndërhyrjes e montimeve, është i lartë për pjesën audio”, shprehen më tej ekspertët në konkluzionet e tyre.                 

Disa nga pyetjet që u janë përgjigjur ekspertët
A është e mundur teknikisht të krijohet një kopje e pastruar (filtruar) nga zhurmat, e materialit audioviziv të bisedës mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti të regjistruar dhe që mund të ndodhet në objektin “orë”, “lap top” e “USB”, të këqyrura e marrë si provë materiale?
Teknikisht u krijuan disa kopje mbi të cilat u aplikuan një gamë e gjerë filtrash me karakteristika të ndryshme, në disa softuere profesionale. Pas përdorimit të tyre, nuk u arrit të përftohej një sinjal audioviziv që të garantojë dëgjueshmëri dhe kuptueshmëri të qartë të bisedimit.

A mund të zhduken apo tjetërsohen të dhëna elektronike audio e video pa lënë gjurmë? Nëse po, në çfarë mënyre e rrethanash?
Përdorimi i teknikave dixhitale dhe atyre të kompjuterizuara, u bën të mundur
ekspertëve te informatikës dhe atyre audiovizive, praktikisht të gjitha llojet e ndryshimeve në file audio video. Për të realizuar fshirje apo tjetërsim
të dhënash audio - video, mjafton një kompjuter dhe një ose disa programe editimi audio-video.

A mund të përmirësohet cilësia audio dhe ose video e file-ve (dokumenteve elektronike) të ndodhura dhe shkarkuara në pajisjet objekt ekspertimi dhe që përmbajnë biseda mes subjekteve Ilir Meta dhe Dritan Prifti?
Për sa i përket raportit sinjal/zhurmë, nivelit audio nën- 10 dB dhe kampionimit 8kHz, cilësia audio, me gjithë përdorimin e sistemit të ndryshëm të filtrave, nuk solli përmirësim të dukshëm për ta bërë të kuptueshëm bisedën në pjesë të veçanta. Përmirësimet në video nuk sollën ndonjë ndryshim të dukshëm, pasi rezolucioni i regjistrimit është i ulët.
Në dispozicion të trupit gjykues, vihet disku bashkëngjitur.

Cili është kuptimi teknik i autencitetit dhe origjinalitetit në fushën e teknologjisë së informacionit, i të dhënave elektronike, të realizuara, transferuara dhe ruajtura me pajisje dixhitale?
Kuptimi teknik i autencitetit në fushën e teknologjisë së informacionit është që informacioni i transmetuar nga dhënësi tek marrësi të jetë identik, origjinal. Për të garantuar këtë origjinalitet, përdoren teknika nga më të ndryshmet si p.sh vulat dixhitale dhe enkriptimi me çelësa dixhitalë.    

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›