E Shtunë, 31 Tetor 2026

Maqedoni, Gruevski nuk publikon letrën e Fyles

Kabineti i kryeministrit Nikolla Gruevski është duke fshehur letrën me përgjigje që i është dërguar nga evrokomisioneri për zgjerim, Stefan Fyle.

Eurokomisioneri Fyle i ka kthyer përgjigje Gruevskit përmes një letre të dërguar qysh nga java e kaluar. Kjo konfirmohet edhe nga kabineti i evrokomisionerit ku thuhet se përgjigja i është dërguar kryeministrit në Shkup. Për më shumë detaje dhe për përmbajtjen e saj, ju lutem drejtohuni në zyrën e kryeministrit, theksojnë në Bruksel, ndërsa kabineti i Gruevskit është i mbyllur dhe nuk përgjigjet lidhur me atë se çfarë i ka shkruar Fyle.

Kryeministri Gruevski menjëherë pas marrjes së raportit të progresit të KE-së, i shkroi një letër proteste eurokomisionerit për zgjerim për mospërdorimin e emërtimit maqedonas.

Ndërkohë, posta elektronike dhe ajo postare është e ngarkuar së fundi nga letrat që i dërgohen nga Shkupi, në njërën anë nga kreu shtetëror, organizatat, federatat dhe Kisha ortodokse Maqedonase dhe diaspora maqedonase. Por nga ana tjetër, kjo praktikë së fundi është ndjekur edhe nga disa shoqata shqiptare, të cilët shkruajnë lidhur me pozitën e shqiptarëve në Maqedoni.

Pas publikimit të progress-raportit të KE-së, zyrtarit të lartë evropian i kanë arritur mbi 20 letra në kutinë e tij postare, letra të cilat në të njëjtën kohë u janë shpërndarë edhe mediave në Maqedoni.

Më sa largu dje, historianët shqiptarë në Maqedoni i shprehën indinjatën Fules për tendencat e institucioneve shtetërore të Maqedonisë për shtrembërimin e historisë së popullit shqiptar. Ndërsa sot në mëngjes, Diaspora e Bashkuar Maqedonase (UMD) në Uashington i ka nisur një letër Fules dhe përfaqësuesve të tjerë evropianë për të mbështetur integrimin e Maqedonisë në BE.  / INA

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›