Berisha: Shqipëria, një nga vendet e zhvilluara për arsimin. 71% e nxënësve shkojnë në universitete
Kryeministri Berisha ka qenë sot në shkollën Besëlidhja në Lezhë, për nisjen së vitit të ri shkollor 2012-2013. Gjatë fjalës së tij, Berisha ka theksuar se qeveria e ka trajtuar me përparësi arsimin, duke ndërtuar shkolla e rritur pagat e mësuesve.
Sot nisin garën e dijes 560 mijë nxënës në të gjithë vendin, prej të cilëve 36 mijë janë për herë të parë në bankat e shkollës. Shkolla është vatra e dytë më e ngrohtë pas familjes, dhe për këtë një mirënjohje shkon për të gjithë mësuesit. Kjo mazhorancë ka dëshmuar gjatë këtyre viteve përkushtimin e saj ndaj arsimit dhe fakt i kësaj janë ndërtimi apo rikonstruksioni i 12 shkollave vetëm në rrethin e Lezhës me vlerë 500 milionë lekë. Kemi shtrirë internetin në çdo shkollë dhe kemi mundësuar laboratore moderne. Mësuesit kanë marrë vlerësim maksimal, pasi në kohë rekord paga e tyre është rritur me 120 %, theksoi Berisha
Ai tha qeveria do të bëjë gjithçka që Shqipëria të arrijë vendet e zhvilluar në fushën e dijes, ndërsa e cilësoi si sukses faktin që 71% e nxënësve vazhdojnë studimet e larta.
Shqipëria e dijes do të jetë Shqipëria e zhvilluar. Kemi arritur vendet e zhvilluara në arsim, pasi 91 % e nxënësve që përfundojnë shkollën 9-vjeçare vazhdojnë shkollën e mesme, dhe 71 përqind e atyre që përfundojnë arsimin e mesëm ndjekin arsimin e lartë. Këtë vit nxënësit e klasave të para kanë abetaren e parë mbarëkombëtare, shtoi Berisha.
Rreth 560 mijë nxënës në të gjithë vendin nisin sot shkollën ndërsa 36 mijë fëmijë ulen për herë të parë në bankat e shkollës.
