E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Prokuroria të hetojë Berishën, Olldashin dhe Bashën

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, i kërkoi dje prokurorisë hetimin e Kryeministrit Berisha, ministrin aktual të Transporteve, Sokol Olldashi, si edhe paraardhësin e tij, Lulzim Basha, për shembjen e tunelit të Thirrës në rrugën Durrës-Kukës. Nisur nga kjo, Rama kërkoi që prokuroria të kërkojë përsëri heqjen e imunitetit të dy ministrave. "Partia Socialiste i kërkon publikisht prokurorisë të hetojë ngjarjen e ndodhur në tunelin e Kalimashit dhe ta rishohë dosjen e famshme të ministrit të Punëve të Brendshme të familjes në pushtet, duke u shtuar abuzimeve të deritanishme edhe abuzimin e ri që solli shembjen e tunelit. Të kërkojë sërish heqjen e imunitetit të këtij personi të zhytur kokë e këmbë në korrupsion, si edhe të thërrasë Sali Berishën për të dhënë shpjegimet e tij, së bashku me ministrin aktual të Punëve Publike, i cili vazhdoi në gjurmët e paraardhësit, atij të Punëve të Brendshme të familjes në pushtet", tha ai. Rama kritikoi ashpër mungesën e informacionit për shembjen në tunel të ditëve të fundit. "Ky nuk është një normalitet në punë e sipër, po përshkallëzimi dramatik i një krimi të mirëfilltë ekonomik, si pasojë e shpërdorimit të detyrës për qëllime korruptive. Është po ashtu tërësisht anormale që shqiptarët të mos informohen për çfarë ka ndodhur, që qeveria të mos thotë ekzaktësisht si ka ndodhur, pse ka ndodhur dhe sa kushton e gjitha kjo për taksapaguesit shqiptarë. Partia Socialiste i kërkon publikisht Sali Berishës të mos bllokojë informacionin që ka detyrimin kushtetues e ligjor t‘i japë publikut lidhur me këtë zhvillim dramatik në tunelin e Kalimashit", tha Rama. Sipas Ramës, sa më shumë ta zgjasë këtë heshtje, aq më të lartë do ta ketë edhe faturën e saj ky gjoja Kryeministër që sillet me vendin e me njerëzit si një kusar brutal e arrogant që tanimë përton edhe të fshehë gjurmët. Ai përmendi dhunën ndaj gazetarit Mero Baze, përplasjen me tatimorët dhe Policinë e Shtetit, konfliktet e pronësisë në bregdet, duke shtuar arsyet e protestës së 20 nëntorit. "Më 20 nëntor, në Tiranë, ne do të mblidhemi edhe për të gjitha këto arsye dhe për të gjitha ato arsye të tjera, që do të dalin në pah ditë pas dite, sepse ditë pas dite infeksioni i krijuar në 4 vitet e qeverisjes së Sali Berishës do të shkojë duke u shfaqur në sipërfaqen e vendit dhe të punëve të vendit", deklaroi Rama.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›