E Shtunë, 31 Tetor 2026

Reagon Olldashi: Jemi transparentë, Rama shpif

Rama gënjen, ne jemi transparentë. Kjo ka qenë në thelb përgjigjja e ministrit të Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, Sokol Olldashi, i cili është detyruar të dalë dy herë përpara publikut për të sqaruar të njëjtën çështje: shembjen në tunelin Thirrë-Kalimash. Pasi i ishte përgjigjur thirrjes së zëdhënëses së PS-së me anë të një deklarate të zëdhënëses së tij, Olldashi doli vetë dje në konferencë shtypi, për t‘iu përgjigjur Edi Ramës. Ai e konsideroi "akt rrugaçërie të pashembullt politik" daljen e Ramës me akuza për Kryeministrin dhe dy ministra të kabinetit të tij. "Është rasti i parë në të gjithë botën demokratike që një drejtues opozite i lejon vetes të ngazëllejë dhe të ngrejë mbi ngazëllimin spekulime të turpshme", tha Olldashi. Sipas tij, ndaj ngjarjes, qeveria përmes MPPTT-së ka mbajtur standardet më të larta të transparencës. Ministri kujtoi se përpara një muaji ka bërë një deklaratë, ku sqaronte se tuneli do të mbyllej për të përfunduar instalimin e pajisjeve elektromekanike, të domosdoshme për funksionimin e tij, si edhe për të sistemuar presionin e krijuar nga një shtresë gjeologjike jo e qëndrueshme në një segment të vogël. Ai kujtoi se edhe ndaj rrëshqitjes së datës 5 nëntor është mbajtur i njëjti standard transparence, duke u njoftuar publiku për çdo zhvillim. "Fenomeni gjeologjik që ndodh në tunelin e Thirrës ishte i paparashikuar dhe fenomene të paparashikuara në brendësi të maleve, në punime të tilla, janë të pritshme", tha ai, ndërsa solli për ilustrim raste të ngjashme të ndodhura në vende të ndryshme. Në fund, ai tha se akuzat e Ramës për koston e avarisë së fundit janë pa bazë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›