E Shtunë, 31 Tetor 2026

Walesa: Kur i thashë Kohlit se era e ndryshimit kishte nisur

Ndërsa kaloi në urën "Bornholmer Strasse", përkrah Angela Merkelit dhe Gorbaçovit, Lech Walesa e kujton ende atë 9 nëntor të vitit 1989, kur Kohl e Genscher ndodheshin në Varshavë për vizitë. "U thashë përgatituni për rënien e Murit, por nuk më besuan. Edhe asaj here Perëndimi nuk donte të na dëgjonte ne polakëve, ashtu si në vitin 1939 me Hitlerin, apo në 1945 me Stalinin. Por në 1989-ën parashikuam një lajm të mirë, jo një tragjedi".

Ja se çfarë kujton Lech Walesa nga ajo mbrëmje. "I thashë Kohl dhe Genscher: ‘Jeni gati për rënin e Murit‘? Vetë Genscher m‘u përgjigj: ‘Do të na pëlqente, por kur të kemi vdekur ne, atëherë do të ndodhë diçka e tillë‘. Pak orë më vonë, muri u rrëzua. Kolhit dhe Genscherit iu desh ta ndërprisnin vizitën e tyre për t‘u nisur drejt Gjermanisë. Nuk mund të ndalonin direkt në Berlin, sepse avioni nuk mund të ulej në qytetin e ndarë. Fluturuan deri në Republikën Federale, pastaj hipën në një avion të ‘Royal Air Force‘. Pikërisht në ato momente po frynte era e ndryshimit. Era e historisë kishte nisur pikërisht këtu, në Gdansk, ku ne i dhamë të parët shkelmin ‘ariut‘ sovjetik. Në atë kohë ndryshimet dukeshin të pamundura. Popujt e kishin pranuar fatin e tyre. Por gjërat ishin të destinuara të ndodhnin". Ish-presidenti polak thotë se nuk i trembej aspak një Gjermanie të madhe: "Gjithçka ndodhi në mënyrë paqësore, nuk kisha pse të kisha frikë. E vetmja gjë së cilës i trembesha ishte fati i Polonisë sime, tregon ai. Përkundrazi, Theçer dhe Miterran ia kishin frikën bashkimit të Gjermanive. Duhej të më ftonin për të diskutuar, por nuk e bënë dhe gabuan rëndë. Isha unë, jo ata që drejtuan luftën e padhunshme të vendeve të Bllokut të Lindjes për lirinë. Do t‘u kisha thënë: ‘Mos keni frikë, jemi gati për gjithçka, siç bëmë në 1939-ën me Hitlerin dhe në 1945 kundër Stalinit, po ju nuk na dëgjuat‘. Militarizimi dhe totalitarizimi i përkisnin së kaluarës. Gjermania Demokratike nuk donte të fitonte më luftëra, por paqen. Nga viti 1989 e deri më sot kemi humbur kohë duke menduar për të shkuarën. Komunizmi ka vdekur, kapitalizmi nuk mjafton më. Frika ishte e gabuar? Në vitin 1981, në fillim të revolucionit tonë jo të dhunshëm, zhvillova një takim të fshehtë me Genscher në Paris. Donte të dinte planet tona për të ardhmen, dhe na u lut të mos nxitoheshim. I tregova se duhej të përgatiteshim sa më shpejt të ishte e mundur për bashkimin. Një skenar i mundshëm për ne ishte të bashkonim sa më shpejt të ishte e mundur Poloninë me Europën, pastaj Hungarinë dhe Çekosllovakinë, bashkimin e Gjermanisë dhe vendet baltike. Nuk më dëgjoi. Kjo sepse nuk besonte te rënia e Murit. Ne me ‘luftën‘ tonë injoruam superioritetin ushtarak sovjetik dhe u drejtuam nga morali. Shihnim me kujdes lëvizjet në udhëheqjen e Kremlinit të destabilizuar. Pastaj erdhi Gorbaçovi. Inteligjent dhe i mirë, një njeri paqësor. Nuk donte të përdorte shumë forcë. Dukej si piloti i një makine që quhej komunizëm, që donte të luftonte makinën e kapitalizmit, por kthesa polake ia hoqi motorin".

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›