Rama: Protesta përballë keqqeverisjes

“Mosndëshkimi i këtij ‘Gërdeci’ uji do të ishte turpi i radhës për drejtësinë”
Përmbytjet në Shkodër, të shkaktuara nga dora e qeverisë dhe jo e Zotit, i japin të drejtë opozitës që të thërrasë popullin në protesta. Me këtë mesazh, kreu socialist, Edi Rama, reagoi dje në mbrëmje ndaj deklaratave të Kryeministrit. Pas komunikimit të Sali Berishës në Parlament, në një seancë kushtuar përmbytjeve në Shkodër, Rama deklaroi se fatkeqësia vjen për shkak të keqqeverisjes dhe se është e treta për të cilën paguajnë shqiptarët në harkun kohor të 20 muajve. Rama përmendi ngjarjen e Gërdecit dhe shembjen e tunelit të Thirrës, si skandale të keqqeverisjes, duke theksuar se shqiptarët po paguajnë për to nga xhepat e tyre. “Vriten njerëz në Gërdec, qeveria thotë Gërdeci voton për ne. Shemben tunelet në Kalimash, s’ka gjë marrim të tjera borxhe nga xhepi juaj o shqiptarë.
Zhyten nën ujë mijëra shtëpi, lemerisen mijëra njerëz dhe përsëri e njëjta gjë, Zoti ju zhyt, qeveria ju shpëton”, u shpreh Rama. Ndërkaq, kreu i opozitës e gjeti me vend që të sqarojë pozicionin e Partisë Socialiste në lidhje me seancën e djeshme të Kuvendit. Kreu i opozitës nënvizoi se Partia Socialiste nuk e ka kërkuar mbledhjen e jashtëzakonshme të Kuvendit, ndërsa sipas tij, ajo që socialistët do të kërkojnë me forcë është dënimi i shkaktarëve të fatkeqësisë. “Në vend të fakteve vetëm gënjeshtra, në vend të provave vetëm vetëlavdërime, në vend të argumenteve vetëm sajesa dhe më keq akoma sulme ndaj opozitës. Duke filluar nga gënjeshtra se opozita e kishte kërkuar atë mbledhje të seancës së sotme ndërkohë që mbrëmë media është e mirinformuar se këtë seancë e dikton Kushtetua dhe, ne vetë e kemi bërë të qartë jo më larg se dje se nuk kemi kërkuar asnjë lloj mbledhjeje të Kuvendit. Kërkojmë me forcë dënimin e atyre që e shkaktuan këtë fatkeqësi”, tha Rama nga selia rozë.
Kryesocialisti theksoi se qeveria nuk ka asnjë provë për të vërtetuar se fatkeqësia u shkaktua nga moti, ndërsa shtoi se jo më larg se dje opozita publikoi fakte e detaje të lidhura me përgjegjësinë e qeverisë në zhytjen e Shkodrës nën ujë. Ai i kërkoi prokurorisë që të hetojë dhe jo t’i braktisë shqiptarët në mëshirën e pushtetit. “Ne, jo më larg se dje, kemi ekspozuar fakte konkrete, kemi dhënë prova të pakundërshtueshme, kemi bërë transparencë të detajuar të gjithë kësaj historie që nuk është gjë tjetër veçse një tjetër kapitull i turpshëm i Berishës. Sot, nuk dëgjuam asnjë fakt, përveç gënjeshtrave dhe përveç paradës së suksesit. Nëse abuzimi me fatkeqësinë që i shkaktuan Shkodrës për të sulmuar opozitën është turpi i radhës për Saliun e Jozefinën, mosndëshkimi i këtij ‘Gërdeci’ uji do të ishte turpi i radhës për drejtësinë që i ka lënë shqiptarët në mëshirën e pushtetit të tyre”, u shpreh kryesocialisti.
Ai u bëri thirrje ndërgjegjes së shqiptarëve që të shohin dhe të dëgjojnë, duke u munduar të kuptojnë të vërtetën dhe për të mos lejuar që ky regjim i gënjeshtrës të mbysë nesër gjithë Shqipërinë, duke shkaktuar një tjetër ngjarje të rëndë në këtë zinxhir fatkeqësish që nuk janë rastësi, por janë thjesht dhe vetëm shprehje e kalbëzimit të plotë të shtetit dhe e babëzisë së plotë të pushtetit.
#