Tërmeti në Haiti: Franca kritikon pushtimin amerikan
Ministri i Jashtëm francez kërkon nga OKB qartësimin e rolit të amerikanëve
Ndërsa në Haiti situata vazhdon të mbetet e rëndë dhe viktima të tjera nxirren përditë nga gërmadhat, ndërkohë që numri i tyre i është afruar shifrës 200 mijë, Franca ka kritikuar ndërhyrjen amerikane në Hairi duke thënë se ndihma ndërkombëtare duhet të ketë si synim lehtësimin e fatkeqësive e jo ”pushtimin e vendit”. Sipas ministrit të Jashtëm francez, Bernard Kushner, zyrtarët e Organizatës së Kombeve të Bashkuara duhet që të hetojnë në lidhje me rolin dominant të Shteteve të Bashkuara në Haitin e shkatërruar nga tërmeti. Javën e kaluar forcat amerikane kanë refuzuar uljen e një aeroplani ndihmash që vinte nga Franca e që mbarte pajisje spitalore dhe sanitare duke shkaktuar një zemëratë në Paris.
Një ditë më pas, avioni ka mundur që të ulet në aeroportin e kryeqytetit të vendit Port-au-Prince, por ndërkohë Franca është ankuar në lidhje me një veprim të tillë. Si pasojë, ministri i Jashtëm francez, Kushner paralajmëroi qeveritë e ndryshme dhe grupet e ndihmës që të mos grinden dhe acarohen me njëra-tjetrën ndërsa përpiqen që t’u vijnë në ndihmë haitianëve pas tragjedisë së javës që shkoi. ”Njerëzit gjithmonë duan që të ulin avionët e tyre, por ajo çka është e rëndësishme është që ndihmat të shkojnë sa më shpejt tek haitianët e varfër”, ka deklaruar ministri i Jashtëm francez, Kushner. Ndërkohë, një tjetër zyrtar i lartë francez deklaroi se çështja është ndihma e jo pushtimi i Haitit. Në një tjetër incident të fundjavës ka pasur ndalime të tjetra të uljeve të avionëve francezë nga ana e amerikanëve edhe pse më pas incidentet janë zgjidhur. Ushtria amerikane kontrollon kryeqytetin e vendit duke qenë ose shumë organe të qeverisë ose janë me numër të përgjysmuar personash, ose nuk kanë dokumentet dhe zyrat për të organizuar veprimet dhe drejtuar vendin në këtë situatë.
Në këto kushte, krerët e lartë të shtetit u kanë kërkuar ndihmë amerikanëve që të marrin në kontroll aeroportin e kryeqytetit dhe të kontrollojnë të gjitha lëvizjet dhe uljet e avionëve. Sekretarja amerikane e Shtetit, Klinton tha të shtunën se qeveria amerikane nuk ka ndërmend që të marrë pushtetin nga zyrtarët haitianë. ”Ne po punojmë që t’i mbështesim haitianët jo t’i zëvendësojmë ata”, ka deklaruar ajo. Shtetet e Bashkuara kanë vazhduar të dërgojnë trupa edhe gjatë ditës së djeshme për të ndihmuar në mbrojtjen dhe shpërndarjen e ndihmave humanitare te të dëmtuarit e tërmetit në Haiti. Për fat të keq është ashpërsuar shumë edhe situata e sigurisë me shtimin e bandave që kërkojnë të grabisin dhe të krijojnë kaos në vendin e shkatërruar. Vetëm të hënën kanë mbërritur 2000 marinsa të pajisur me ndihma, ndërkohë që pikësynimi përfundimtar i amerikanëve është dislokimi i 10 mijë trupave. Liderët botërorë kanë premtuar dërgime masive asistence dhe ndihmash materiale e njerëzore në Haiti.
Bashkimi Europian dhe vende të tjera anëtare janë ofruar 400 milionë dollarë si emergjencë dhe më pas një asistencë më afatgjatë për Haitin. Për sa i përket situatës në terren edhe gjatë ditës së djeshme ajo ka qenë shumë e rëndë dhe e vështirë, ndërsa një pjesë e të dëmtuarve ende nuk i kanë marrë ndihma dhe të tjerë banorë të kryeqytetit ndodhen nën gërmadha. Për sa i përket qeverisë vendase, tashmë e mbetur pa një seli, ajo e ka organizuar mbledhjen në drejtimin e Presidentit, Preval në qiell të hapur dhe ministrat janë ulur nëpër karrige plastike. Deri tani mbi 30 vende të ndryshme të botës kanë nxituar të shprehin gatishmërinë konkrete për dhënien e ndihmave në Haiti, por ka pasur shumë vështirësi logjistike duke qenë se aeroporti i kryeqytetit që aktualisht ndodhet nën kontrollin e amerikanëve do të hapet plotësisht vetëm pas 3 ditëve. Ndërkohë, çmimet e karburantit janë dyfishuar dhe ka pasur radha të gjata në stacionet e shpërndarjes së karburanteve.
#