Kalvari i të papunëve me diploma, ose pak të arsimuar
Forum
Humbja e shpresës për t’u sistemuar, lexohet në të gjithë të papunët e intervistuar
Të arsimuar ose jo, të rinj a të vjetër, të bardhë apo me ngjyrë, të gjithë përballen me një treg të vështirë pune, ku përzgjedhja jo gjithnjë varet nga aftësitë e gjithsecilit.
Një pjesë e madhe e shqiptarëve, të cilët nuk e kanë luksin e të gjeturit të një pune në administratën shtetërore, janë sajuar në biznese private, ku jo në pak raste pranojnë të punojnë pa sigurime shoqërore e shëndetësore. Një pjesë tjetër vazhdon të kërkojë me shpresën se dikush do t’u hapë derën dhe do të sigurojnë një pagesë mujore. Ndonëse në statistikat shtetërore thuhet se numri i të papunëve sa vjen e reduktohet, duket se realiteti flet ndryshe. Dhe këtë e provojnë jo vetëm njerëz të paarsimuar, por edhe ata që janë të diplomuar ose presin të laureohen. Rregullat për t’u sistemuar në një punë janë tejet të ngurta dhe shpesh njerëzit kanë humbur edhe besimin. Në pjesën më të madhe të rasteve të pyetura nga gazeta, ata dëshmojnë se për të zënë një vend pune të qëndrueshme nevojitet që të kesh miq dhe lidhje. Në të kundërt, do të rreshtohesh mes të pafatëve që vetëm presin me shpresën që vjen duke u zbehur ditë pas dite e që jo pak herë çon edhe në vetëvrasje. Po kështu, zyrat e punës duket se nuk i vijnë në ndihmë çdo hallexhiu. Të regjistruar në listat e këtyre përfaqësive “dorëzanë”, punësimi ka nga ata që duan të gjejnë një punë të thjeshtë dhe me pak para, por edhe të diplomuar me fakultete që prej vitesh hallakaten pa mundur që të gjejnë veten profesionalisht.
Kristaq Llambiri, i papunë “Jam në moshë të thyer, nuk më punëson askush”
Jam i papunë prej më shumë se një viti. Trajtohem nga shteti me asistencë deri në mbushje të periudhës për pension pleqërie.
Pagesa është e ulët dhe duke qenë se jam kryefamiljar, kërkoj të punësohem në një punë me më shumë të ardhura. Prej shumë vitesh kam qenë punonjës në strukturat e shtetit, tani koha dhe periudha e krizës në të cilën ndodhemi, nuk krijon mundësi të mëdha punësimi. Sektori privat, në shumicën e rasteve, funksionon me miqësi, lidhje. Por sigurisht që edhe ata që të marrin në punë kërkojnë mosha të reja, kualifikime dhe jo mosha të vjetra.
Po ashtu, duke qenë se trajtohem me ndihmë nga shteti, deri në dalje në pension, kërkoj një punë pa sigurime shoqërore, thjesht për të fituar të ardhura më shumë.
Duke ndenjur në shtëpi, shpesh të duket vetja i tepërt, duke mos pasur mundësi si për të kaluar kohën, ashtu edhe për të dhënë kontributin, duke marrë edhe përfitimin më pas.
Thuhet që ky vit do të jetë edhe më i vështirë nga ai që lamë pas, papunësia do të rritet edhe më shumë, vendet e punës do të shkurtohen, mundësitë do të jenë edhe më të pakta. Jam në pritje të këtyre mundësive, kam kërkuar ndihmë në rrethin tim shoqëror.
Maljena Xhema, studente“Që të gjesh punë, të duhen miqtë dhe lidhjet”
Aktualisht, jam studente në vitin e tretë për Gazetari. Përpjekjet e mia për të punuar në median e shkruar apo në ndonjë stacion televiziv kanë qenë të shumta, por pa rezultat. Kam punuar në gazetë për një periudhë shumë të shkurtër, për shkak se nuk u shpërbleva për punën që bëra. është shumë rëndësishme që studentët të punojnë diku, për të pasur eksperiencë pune. Kjo për shkak se shpeshherë ne që nuk punojmë, ndihemi të “diskriminuar” në raport me ata që janë të punësuar. Pasi këta studentë duhen të kenë eksperiencë pune, qoftë edhe për të qenë pjesë e një trajnimi. Edhe pse jam studente, kam kërkuar shpeshherë të punoj, por kjo ka qenë gati e pamundur. Kjo është një nga arsyet që e ka vështirësuar edhe më shumë përpjekjen time për të kërkuar një vend pune. E megjithatë, një tjetër problem është edhe zbatimi i orareve të punës. Duke qenë se jam studente nuk mund të punoj me kohë të plotë, për shkak se më duhet të ndjek edhe studimet, që për momentin janë objektivi im kryesor. Në Shqipëri, studentëve nuk u ofrohet asnjë mundësi “komode”, qoftë edhe për t’i motivuar, siç ndodh me studentët e huaj. Tregu i punës për mendimin tim është në krizë. Kjo për shkak se të gjithë ata që punojnë sot në pothuajse të gjithë sektorët publikë janë persona që nuk janë arsimuar në fushat ku punojnë aktualisht, ose nuk janë arsimuar fare. Kjo është një nga arsyet më të forta që na e bën edhe më të vështirë punësimin. Ajo që është për të ardhur keq në ditët e sotme është se sot nuk konkurrohet me vlera dhe cilësi profesionale, por me traditën e vjetër që është ajo e të pasurit miq. Kjo është pengesë, të cilën e vuajmë ne që nuk kemi të njohur edhe pse po kualifikohemi në një fushë të caktuar, dhe supozohet që nesër të dalim të përgatitur për të qenë pjesë e tregut të punës në Shqipëri. Për momentin më ngelet të shpresoj që të paktën kur të përfundoj studimet, të zë një vend të qëndrueshëm pune, për të fituar eksperiencën e duhur dhe për t’u shpërblyer për punën e viteve të studimit. Shpresoj që kjo ditë do të vijë edhe për Shqipërinë.
Sandër Serani, i papunë “Nuk më punësojnë se jam rom”
Jam duke kërkuar një vend pune. Deri tani kam punuar atje ku kam mundur. Në lavazhe, duke larë makina, roje në ndonjë biznes privat, apo duke punuar në vende të ndryshme në kohën e fushatës. Tani duhet të kesh shkollën, duhet të njohësh, të kesh njerëzit e tu. Vetëm ata mund të të japin një mundësi. Familja ka kërkesa, është buka e përditshme. Deri tani nuk kam bërë punë të qëndrueshme. Kam ndenjur me muaj, sa andej-këndej.
Edhe lavazhi ku laja makinat, më bëri me reumatizëm, prandaj dhe e lashë. Kam larë tapete, kam kryer punë të rëndomta. Tani po kërkoj të gjej diku një punë roje. Do të punoj me turne, por të paktën nuk do të kem më probleme shëndetësore.
Kam kërkuar ndihmë kudo, të kem një punë, sikur edhe pak para, por të paktën të kem ku të marr diçka, për shpenzimet e jetesës. Rrugëzgjidhja që kam gjetur deri tani, derisa të gjej një punë, është lënia e një dhome me qira. Nuk është mirë, të jetosh me njerëz të tjerë në shtëpi, por kjo ka qenë e vetmja mënyrë për të fituar diçka e për të blerë ato gjëra të nevojshme.
Sot nuk gjejnë punë ata që janë me shkollë, unë nuk i kam vënë mend shkollës, nuk kam mësuar, vendet ku mund të punoj janë të pakta. Unë jam rom dhe ne na shohin ndryshe. Nuk na duan. Mendojnë se nuk dimë të bëjmë asgjë. Por unë e dua punën. Ishalla po bëhet diçka edhe për mua.
Belina Kallopi, studente“Tregu i punës nuk na mirëpret”
Për një student është shumë e vështirë të sigurojë një vend pune. Këtë e them me bindjen më të madhe, për shkak të eksperiencave të hidhura që më është dashur të kaloj. Arsyeja e parë dhe më kryesore është konkurrenca jo e ndershme, me të cilën përballesh në momentin kur aplikon për të pasur një vend të qëndrueshëm pune. Që të të jepet mundësia për të punuar duhet së pari të kesh një të njohur, ndryshe nuk do kesh asnjë mundësi për të marrë përgjigje pozitive, edhe pse t’i mund të jesh me të vërtetë e aftë për ta realizuar atë punë. Përpjekja ime e parë ka qenë aplikimi në një gazetë. Një nga kushtet që më duhej të pranoja kur aplikova për punë ishte që të qëndroja në provë, por se për sa kohë nuk dihej. Edhe nëse do të filloja, nuk do paguhesha. Do më duhej të punoja për muaj me radhë dhe në fund nuk do shpërblehesha, edhe nëse puna ime do ishte e mirë. Këto ishin disa nga arsyet pse nuk pranova të punoja, sepse jo vetëm që nuk do paguhesha, por do lija mbrapa edhe studimet. Do t’i kisha sakrifikuar studimet vetëm nëse do kisha një punë të qëndrueshme, po kurrsesi nuk do lejoja t’i humbja të dyja. Do doja që tregu i punës në Shqipëri të ishte më i liberalizuar, që do të thotë që edhe studentët të jenë të mirëpritur për të punuar në të, madje edhe të paguhen.
#