E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Puna jonë shihet në fytyrën e rilindur të Gjirokastrës, dyert për të qëndruar numëroheshin me gishtat e dorës

TIRANË, 3 maj/ATSH/ Kryeministri njëherësh kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama deklaroi sot se “ne së bashku filluam një punë që sot shihet në fytyrën e rilindur ku është kthyer buzëqeshja e Gjirokastrës, Tepelenës, Përmetit, Këlcyrës, Libohovës, Memaliajt dhe Dropullit”.

Në takimin përmbyllës elektoral në Gjirokastër, Rama tha se “më vjen jashtëzakonisht mirë që na jepet mundësia që këtë rrugëtim 11 majit, nga pikëpamja e takimit përmbyllës se rrugëtimi vazhdon derë më derë deri më 11 maj, ta bëjmë këtu në këtë shesh të transformuar tërësisht. Kur ne morëm detyrën ky shesh ishte parkim për autobusa, makina dhe asfalt të rrjepur dhe s’kishte vend për të imagjinuar një Gjirokastër turistike”.

“Në atë kohë dyert për të qëndruar një natë në Gjirokastër numëroheshin me gishtat e dorës dhe numri i vizitorëve në vit ishte 6 mijë, vjet Gjirokastra e mbylli vitin me 600 mijë turistë”, tha Rama.

Kreu i qeverisë u shpreh se “ata të cilët që përpiqen t’i thonë popullit shqiptar dhe përpiqen kot se, shumica e shqiptarëve të japin ujë në bisht të lugës, thonë se çfarë është bërë mirë e ka sjellë koha dhe çfarë nuk është bërë është përgjegjësia jonë. Ndërkohë si ka mundësi që ato që koha i solli në vetëm 12 vjet nuk i solli në thuajse çerek shekulli deri sa ju dhe të gjithë shqiptarët në shumicë na dhatë besimin, mbështetjen e madhe për të filluar këtë transformim. Si ka mundësi që koha nuk solli një Shqipëri më të mirë se sa ajo e fillimit të transformimit demokratik në vitin ’97”.

“Si ka mundësi që koha nuk i solli këto transformime në infrastrukturë, për të cilat ne dëgjuam shumë aso kohe, rrugë, rrugë, por të tëra rrugët mbetën rrugëve sepse ishin tendera, daulle përurimesh, por nuk ishin as projekte të mirëfillta, as financime reale. Atyre që thonë shpesh s’ia vlen të votosh se këtu të gjithë njësoj dhe gjërat do shkojnë si do shkojnë pavarësisht se voton apo nuk voton, e para kur shqiptarët na besuan mandatin e  parë kanë ndërhyrë në momentin më kritikë kur Shqipëria rrezikonte seriozisht të binte përsëri në humnerë, një humnerë të ngjashme me atë të piramidave, por jo më për shkak të një Sudeje apo Vehbiut, por për shkak të qeverisë që udhëhiqej nga i njëjti njeri që bekoi Suden dhe Vehbiun”, nënvizoi Rama.

Kreu i qeverisë tha se “shqiptarët ndërhynë dhe e penguan rrënimin përfundimtar edhe njëherë nga e para të Shqipërisë”.

/k.s/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›