E Martë, 3 Nëntor 2026

Rama: Qarku i Dibrës, shembulli më i mirë kur njerëzit investojnë votën tek njerëzit e duhur

TIRANË, 2 maj /ATSH/ Kryeministri Edi Rama, njëherësh edhe kryetari i Partisë Socialiste tha sot se ia vlen që populli të investojë me votë te njerëzit e duhur dhe te forca e duhur politike, pasi nuk janë të gjitha partitë njësoj.

Nga takimi përmbyllës elektoral në Peshkopi, qarku Dibër, ku të pranishëm ishin edhe zv. kryeministrja Belinda Balluku dhe drejtuesi politik për Dibrën, Blendi Klosi, Kryeministri tha se qarku i Dibrës është shembulli më i mirë se kur njerëzit investojnë votën në vendin dhe njerëzit e duhur, Dibra, Bulqiza, Klosi dhe Burreli nuk janë më njësoj.

“Nëse të gjitha këto bashki kanë ndryshuar sot si dita me natën, kjo ka ardhur nga fakti i thjeshtë që nuk janë të gjithë njësoj dhe si rezultat i investimit të këtij populli me votën e vet te forca e duhur dhe njerëzit e duhur. Çfarë duhet të bëjnë demokratët për atë partinë e tyre të kthyer në kënetë? Ia kanë dhënë besimin sa herë, nuk mbahet mend, por këneta ka hapur gjithandej një legjendë se Edi Rama s’do veriun, nuk investon në veri”, tha Rama, ndërsa nënvizoi faktin se nga investimet që janë bërë në qarqet e veriut, qarqet më pak të investuara të qeverisë së kënetës, kanë qenë qarqet që u kanë dhënë më shumë besim. Dhe sipas Ramës, Tropoja renditet në qarqet më pak të investuara nga qeveria demokratike.

“Është mentaliteti i të parit të tribusë, jo i të parit të qytetarëve. Nuk duron dot që ta ngrenë tribunë e vet në pikën që pastaj njerëzit ta shohin atë si të barabartë. Kjo është arsyeja pse te këneta kush fitoi primare me votat e demokratëve është zhdukur, e ka ngrënë bufi, nuk ekziston nëpër lista”, pohoi Rama.

Sipas Kryeministrit, territori i Dibrës nuk është më i shkëputur nga ai i Shqipërisë, ndërsa dikur për të arritur këtu duhej të bëhej një rrugë që ishte më gjatë se për t’u nisur nga Tirana deri në New York.

“Sot, ky qark është pjesë e metropolit të Shqipërisë, dhe pesë vite kohë keni! Kur thosha unë dikur që do e bëjmë Dibrën destinacion turistik thoshin ky s’di çfarë flet! Pesë vjet keni ju që jeni të lidhur me këtë zonë, përpara se çfarë shikoni të jetë diçka që nuk mund të imagjinohej deri dje dhe pasuritë e paluajtshme të dibranëve do marrin vlerë të jashtëzakonshme”, tha Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›