Basha takime në Kamzë dhe Tiranë: Vota për Koalicionin Euroatlantik, mbështetje totale për SPAK

TIRANË, 2 maj/ATSH/ Drejtuesi politik i Koalicionit Euroatlantik, Lulzim Basha, vijoi takimet me qytetarët dhe bizneset në Kamzë dhe njësitë 2 dhe 8 në Tiranë.
Basha u shpreh se braktisja që u ka bërë qeveria qytetarëve është për faktin se paratë në vend që të shkojnë për qytetarët, i kanë çuar tek shokët e 7×7=313.
“Kryesorja është që mandatin që ai synon ta marrë, e para e punës duhet të bëjmë të mos e marrë dhe e dyta t’i japim fuqi SPAK-ut që atë punë që e ka nisur ta çojë deri në fund. Kjo është, rrugë tjetër nuk ka”, u shpreh Basha.
“Në të gjithë atë fletë votimi, vetëm numri 4 është në mbështetje me vepra ndaj SPAK-ut. Këta të dy siç e keni parë, hapur dhe nën rrogoz kanë dalë dhe punojnë kundër SPAK-ut”, vijoi Basha.
Ai gjithashtu foli edhe për një nga pikat e programit që do t’i vijë në ndihmë shumë bizneseve të vogla. Basha tha se me taksën e sheshtë 9%, heqja e TVSH për biznesin e vogël dhe lehtësitë reale për hapjen dhe formalizimin e çdo iniciative të ndershme, do t’u kthejë sipërmarrjeve normalitetin në aktivitetin e tyre.