E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Rama: Qeveria ka dhënë 16 milionë euro për sistemin e menaxhimit të çështjeve, nuk është bërë akoma

TIRANË, 13 shkurt /ATSH/ Kryeministri Edi Rama në rubrikën “Sy m’sy” në bashkëbisedim me qytetarët në platformat sociale, nënvizoi se qeveria ka hequr nga Ministria e Drejtësisë kompetencat që kishte në organet e drejtësisë dhe ka krijuar inspektoratin e Lartë të Drejtësisë si dhe këshillat, në mënyrë që të merren me hallet e njerëzve.

“Është bërë një proces vetingu dhe kur vjen puna tek SPAK, po të hyjmë tani te SPAK hyjmë në një hak shumë të madh, sepse janë të tjerë që duhet të përgjigjen më para. Ne i kemi hequr me duart tona, ne ia kemi hequr Ministrisë së Drejtësisë kompetencat që kishte. Ministria e Drejtësisë nuk ka më kompetencat që kishte,” tha Rama.

“Kemi krijuar Inspektoriatin e Lartë të Drejtësisë të pavarur që të merret me këto, kemi krijuar këshillat KLGJ dhe KLP ata merren me të gjitha këto, janë qeveria e sistemit. Ata duhet t’i trajtojnë të gjitha hallet e njerëzve dhe jo të kujtohen dhe të mblidhen për të bërë një deklaratë se u trysnuan. Ato që fola unë t’i dëgjojnë mirë, me vëmendje se nuk janë fjalë personale, por është shpirti i shumë njerëzve që zien nga padrejtësitë dhe shkelja e standardeve”, tha Rama.

Rama bëri të ditur se qeveria shqiptare ka dhënë 16 milionë euro për të bërë sistemin e menaxhimit të çështjeve në drejtësi.

“Ka disa vite që qeveria e kësaj republike u ka dhënë 16 milionë euro në dispozicion për të bërë sistemin e menaxhimit të çështjeve. Çfarë do të thotë sistemi i menaxhimit të çështjeve do të thotë një sistem transparent me të gjithë infrastrukturën digjitale, dhe mos të ketë më lodra në çështje, të gjitha transparente edhe a e dini që kjo nuk ka ndodhur akoma nuk e kanë bërë. Dhe e dini çfarë thoshin se nuk e duam sistemin ashtu, por e duam ashtu se jemi të pavarur. Çdo shtëpi edhe kryeministria edhe parlamenti edhe opozita e marrin ujin nga një kolektor. Nuk ka secili që e merr ujin nga lumi, e duam ne më vete sistemin, është që të kesh informacion nga të gjitha sistemet  tjera”, u shpreh Rama. /j.p

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›