E Diel, 1 Nëntor 2026

Rama: Qeveria po e çon vendin drejt humnerës financiare

RamaNë një dalje për mediat kryetari i Partisë Socialiste akuzoi qeverinë se po e çon ekonominë e vendit drejtë një humnere financiare. Duke ju referuar shifrave, kryesocialisti, tha se gjatë pesë viteve të fundit ekonomia shqiptare vetëm është tkurrur.
Deklarata
Që prej janarit të 2011 janë mbyllur 19 mijë biznese që do të thotë mbyllen 23 biznese në ditë, ose 1 në orë. Ndërkohë të dhënat fiskale të 4 mujorit tregojnë se të ardhurat në buxhet nga TVSH, që është treguesi më domethënës janë më të ulëta në pesë vitet e fundit. Janë edhe më të ulëta sesa në 2009 kur kjo qeveri grabiti votat dhe i dha vetes një mandat të dytë, ndërkohë që vetëm prej inflacionit duhet të ishte 10 përqind më shumë. Ekonomia ka 5 vjet që nuk rritet asnjë milimetër por përkundrazi tkurret, tha Rama. Sipas kreut të PS-së biznesi i vogël në Shqipëri po shkon gjithnjë e më shumë drejt një rrënimi të plotë. Biznesi i vogël është në rrugën e rrënimit të mëtejshëm ku e merr zvarrë prej vitesh nga kjo qeveri dhe po shkatërrohet çdo ditë. 27.4 përqind, thuajse 1/3 më pak të ardhura nga taksa e biznesit të vogël sesa në 2009. Një rënie e tmerrshme që tregon rrënimin e biznesit të vogël në Shqipëri. Vlera e shtuar mbi xhirot dhe xhiroja e biznesit të vogël që ka pasur rënie tregojnë se gjendja e biznesit të vogël është dramatike, deklaroi Edi Rama.
Premtimi
Rama tha se shqiptarët me votë do ta ndalin këtë rrënim në 23 qershor ndërsa premtoi se qeveria socialiste do të rilindë biznesin e vogël. Ekonomia duhet të rilindë duke filluar nga rilindja e biznesit të vogël, ne do vendosim lirinë e konkurrencës në rrugën e sipërmarrjes së madhe në 100 ditët e para të qeverisjes, premtoi Edi Rama. Dy ditë më parë në Konventën e PS-së, teksa foli për taksat në vend, kreu i PS-së premtoi se pas 23 qershorit, qeveria e drejtuar nga socialistët do të ulë taksat për 95 përqind të shqiptarëve.

PD: Rama është i dëmshëm për qytetarët e biznesit
Partia Demokratike nëpërmjet deputetit, Gerti Bogdani akuzoi kryetarin e Partisë Socialiste, Edi Rama se po shpik trillime për të justifikuar mosvotimin e tri ligjeve që i hoqën mundësinë vendit për të marrë statusin e vendit kandidat. Ai shpik dhjetëra trillime dhe justifikime mavi për mosvotimin e tri ligjeve, duke hyrë në ditën e 220 të gënjeshtrave që mbajnë peng ëndrrën Evropiane të qytetarëve Shqiptarë!  Ai pati guximin ti gënjente shqiptarët, duke u thënë atyre se statusi i vendit kandidat nuk është bllokuar nga tre ligjet, kur të gjithë qytetarët e dinë se e vetmja arsye që bllokon statusin e vendit kandidat është karrigia e tij në Partinë Socialiste! Kulmin e boshësisë dhe falsitetit Edi Rama e arriti me gënjeshtrat për taksat kur tha se për rritjen e taksave të biznesit të vogël në Tiranë, nga 47 mijë Lek ne 167 mijë Lek në kohën që ai ishte kryetar i Bashkisë, shkaktare ka qenë qeveria”, tha Bogdani. Duke vijuar akuzat për kreun e PS-së, Bogdani tha se Rama  po vërteton jo vetëm se është i dëmshëm për qytetarët e bizneset, por edhe i panevojshëm për vetë Partinë Socialiste”.

Pollo: Rama nuk është shembulli më
i mirë për të folur për ekonominë
Ministri i Inovacionit njëherësh edhe kandidat për deputetë i PD-së në qarkun e Beratit, Genc Pollo reagoi pas deklaratës së Ramës për ekonominë në vend. Gjatë një takimi me banorë të Cukalatit në Berat, Pollo tha se Edi Rama nuk është shembulli më i mirë për të folur për ekonominë. Edi Rama nuk është shembulli më i mirë për të folur rreth ekonomisë. Por si deputet i qarkut Berat mund të konfirmoj se sot Berati ka 3000 biznese më shumë të regjistruar në QKR dhe që janë aktivë në qarkun tonë. Z. Rama thotë se të ardhurat në buxhet nga TVSH-ja janë më të ulëta në pesë vitet e fundit. Është për tu habitur ku i gjen këto shifra z. Rama. Vetëm në Berat realizimi i TVSH-së vetëm për muajin maj është 142% krahasuar me planin dhe 133% krahasuar me faktin e të njëjtit muaj të vitit të kaluar. Shifrat mavi të Edi Ramës të gjithë e dinë si shkruhen e thuhen!, tha Genc Pollo.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›