E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kriza në KQZ, Arvizu zbarkon në selinë e PS

rama-arvizu1Ndërkombëtarët i janë rikthyer edhe një herë situatës së krijuar në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu i është drejtuar mesditën e djeshme selisë së Partisë Socialiste ku ka zhvilluar një takim me kreun e saj, Edi Rama dhe Sekretarin për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri.
Deklarata
Pas përfundimit të takimit, ambasadori Arvizu në një prononcim për mediat u shpreh se një ndër shqetësimet e SHBA-ve për situatën parazgjedhore në vend mbetet funksionimi i plotë i KQZ-së. Një çështje me shqetësim për SHB-në, komunitetin ndërkombëtar përfshi edhe vetë shqiptarët mbetet funksionimi i plotë i KQZ-së. Ne vijojmë të jemi të frustruar nga fakti se KQZ nuk është plotësisht e konstituuar në  kushtet e mos funksionimit e plotë. Ne vijojmë të bisedojmë me miqtë tanë të besuar dhe partnerët, duke tentuar për të kuptuar nëse ekziston mundësia që partitë të punojnë së bashku për të bërë të mundur konstituimin e plotë të KQZ-së në mënyrë që jetë plotësisht funksionale për t’i shërbyer nevojës së zgjedhjeve, tha ambasadori, Arvizu. Kryediplomati amerikan konfirmoi se janë zhvilluar negociata edhe me parti të tjera, ndërsa tha se nuk ka pasur negociata me kryeministrin Berisha por me figura të tjera brenda Partisë Demokratike. Kemi pasur kontakte të afërta me PD-në, por nuk kemi pasur takime specifike me kryeministrin, u shpreh ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu.
PS
Nga ana e tij, Sekretari për Çështjet Zgjedhore në PS, Damian Gjiknuri tha se çështja e KQZ-së mund të zgjidhet vetëm duke e rikthyer atë sërish në parlament. PS-ja është e hapur për çdo zgjidhje që do të bënte të mundur funksionimin e KQZ-së sipas ligjit. Ne e kemi thënë që jemi të përgatitur që të shkojmë në zgjedhje edhe me këtë komision sepse për ne zgjedhjet përfundojnë në vendin e numërimit të votave. KQZ-ja duhet të kthehet në Parlament pasi Parlamenti është vendi ku u cënua legjitimiteti i këtij komisioni, deklaroi Damian Gjiknuri.

Berisha-McCormak: PS po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor
Kryeministri Berisha priti në një takim shefen e Misionit të ODHIR, Conny McCormak dhe anëtarë të tjerë të misionit vëzhgues të OSBE/ODIHR. Gjatë diskutimit për sa i përket situatës së krijuar në KQZ, kryeministri Berisha u tha anëtarëve të misionit të ODHIR se  Partia Socialiste po përpiqet të pengojë procesin zgjedhor, duke keqpërdorur anëtarët e saj në KQZ, ndërsa u shpreh i gatshëm për të votuar çdo propozim që do vijë nga opozita për vendet e lëna bosh.  Në vijim, kreu i qeverisë tha se të gjitha partitë politike në vend janë të angazhuara për një proces zgjedhor të lirë, ndërsa shtoi se reforma zgjedhore u bazua në propozimet e bëra nga opozita. Nga ana e saj, edhe shefja e misionit të ODHIR, McCormak ndau të njëjtin mendim me kryeministrin për sa i përket rëndësisë së një procesi zgjedhor të lirë dhe të ndershëm.

Topalli: Rama po përdor KQZ-në si alibi për humbjen e zgjedhjeve
Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli i ka bërë sërish apel, kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama që të plotësojë vendet e lënë bosh në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Gjatë një takimi me drejtoren e NDI në Shqipëri, Ana Kadovic dhe ekspertin zgjedhor Sam Sager, Topalli tha se Rama po përdor KQZ-në si një alibi kur të humb zgjedhjet. Gjatë takimit, të dyja palët ndanë të njëjtin mendim për sa i përket funksionimit të plotë të KQZ-së ndërsa theksuan se e rëndësishme është krijimi i besimit te qytetarët për një proces zgjedhor të lirë dhe të ndershëm. NDI do të ketë në Shqipëri një numër vëzhguesish në zgjedhjet e 23 qershorit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›