Rama: Qosja kundër editorialeve të mia? Ai vetë vetëm shkruan
Pas intervistës së Rexhep Qoses, që tha dy ditë më parë se nuk largohet Sali Berisha prej pushtetit me editoriale, dhe se ato nuk përbëjnë aksion politik, kreu i PS shprehet se “Editorialet e mia s’kanë asnjë arsye më shumë se sa komunikimin e drejtpërdrejtë për çështje që i gjykoj të rëndësishme të komunikoj me njerëzit, në kushtet kur përndryshe komunikimi është tejet i kushtëzuar e i cunguar nga pasqyra mediatike. Nuk kemi bërë asnjë tërheqje. Ka një ndryshim të kursit politik, sepse nuk jemi më aty ku ishim”
Kreu socialist Edi Rama replikon me shkrimtarin kosovar Rexhep Qosja në lidhje me nevojën dhe rolin e editorialeve të botuar tashmë në mënyrë sistematike prej tij në mediat shqiptare. Pa përmendur emër konkret, por duke lënë të kuptohet qartazi se replika e tij është pikërisht me Rexhep Qosen, Rama i kthen përgjigje jo vetëm atij por të gjithë atyre që kanë komentuar mbi editorialet apo shkrimet e tij në media, se qëllimi i tyre nuk është të rrëzojë Berishën, por të komunikojë me qytetarët, me ata që e preferojnë apo e arrijnë këtë lloj komunikimi. “Kam ndeshur herë pas here këto kohë në këtë blog, po edhe në komente që më kanë mbërritur nga të tjera tribuna, një shprehje të habitshme: Nuk rrëzohet Saliu me editoriale! A thua se për qëllim të editorialeve të mia kam shpallur rrëzimin e Saliut (?) ose ende më keq, a thua se ankuesit në fjalë bezdisen nga fakti që u duhet të lexojnë. Apo, nuk e di, mbase i bezdis edhe thjesht fakti që unë shkruaj për të komunikuar drejtpërdrejt me njerëzit. Editorialet e mia s’kanë asnjë arsye më shumë se sa komunikimin e drejtpërdrejtë për çështje që i gjykoj të rëndësishme të komunikoj me njerëzit, në kushtet kur përndryshe komunikimi është tejet i kushtëzuar e i cunguar nga pasqyra mediatike. Editorialet nuk zëvendësojnë asgjë tjetër në punën time, janë thjesht në vendin e tyre dhe synojnë vetëm kaq: Një komunikim më të shtjelluar se sa ç’lejojnë rrugët e tjera me njerëzit e interesuar për pikëpamjet e mia”, - shprehet Rama në një komunikim të ri në blogun e tij në internet. E për të treguar se replika është pikërisht me shkrimtarin kosovar, i cili vetëm ditët e fundit ka shkruar në median shqiptare vlerësimet e tij mbi sjelljen e re të Ramës dhe editorialet e tij, kreu socialist shprehet se “S’është kjo vetëm çështje analfabetësh dhe kjo më ka habitur dhe këtë rast, sepse e kam parë të komentuar së prapthi edhe nga njerëz që për vete vetëm shkruajnë”, - shprehet Rama. Gjithashtu ai gjen mundësinë që në komunikimin me miqtë e tij në këtë rrjet virtual, të sqarojë edhe një herë se ajo që po bën sot opozita që drejtohet nga ai nuk është tërheqje nga beteja që ka zhvilluar këto dy vitet e fundit, por një strategji e re, për të bërë të mundur përçuarjen te shqiptarët të alternativës socialistë dhe përgatitjen e ardhjes në pushtet. “Nuk ka asnjë tërheqje. E kemi shpjeguar vijimësisht. Ka një ndryshim të kursit politik, sepse nuk jemi më aty ku ishim. Deri dje bota nuk e besonte se Saliu kishte vjedhur zgjedhjet, sot e dinë të gjithë. Ne i fituam zgjedhjet e 8 majit kudo në Shqipërinë që paguan taksa dhe u vodhëm në Tiranë, çka tregoi dyfish të vërtetën e sotme të këtij vendi: Nga njëra anë fituesit jemi ne, nga ana tjetër Saliu grabit votën! Në këto kushte kemi vetëm një objektiv, të përgatitemi për zgjedhjet e ardhshme dhe t’i fitojmë ato, tanimë kur të gjithë e kanë marrë vesh cili është problemi e ku është problemi, por duan të dinë si do ta qeverisim ne Shqipërinë. Qëllimi ynë është t’u japim njerëzve alternativën europiane dhe t’i nxjerrim në votim më të shumtë se asnjëherë për largimin përfundimtar të politikës së vjetër nga skena bashkë me Saliun”, - shprehet Rama. Më tej ai sqaron se “Protestat për votën e përmbushën plotësisht qëllimin e tyre, zgjedhjet e ardhshme duhet të përmbushin qëllimin tuaj e të të gjithë atyre që duan një ndryshim rrënjësor në qeverisjen e vendit”.
Rexhep Qosja:
Shaka politike janë këto! Nuk largohet Sali Berisha prej pushtetit me editoriale. Editorialet nuk përbëjnë aksion politik. Ato, editorialet, janë zëvendësim i aksioneve demokratike, që përfaqësojnë protestat, demonstratat, grevat, me retorikë boshe; ato janë lutje si lutjet biblike a kuranore, por pa patosin e tyre etik.