E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta: Lavitolën e njihja si drejtuesin e gazetës “L’Avanti”

Ish-ministri i Jashtëm, Ilir Meta, njoftoi dje në lidhje me debatin mediatik mbi takimin e tij me homologun e tij italian Franko Fratini dhe Lavitolon në vitin 2009, se e njihte këtë të fundit vetëm si drejtues i një gazete italiane. Por ai bën të ditur se prania e tij në takimin me Fratinin ka qenë fare e rastësishme. “Në lidhje me pretendimet e ndonjë media, për gjoja angazhimin e personave të tretë gjatë vizitës sime zyrtare në Romë në 21 tetor të vitit 2009, sqaroj se prezenca e një drejtuesi të një gazete italiane në foton e paraqitur në media, e marrë gjatë konferencës së shtypit me homologun Fratini, është krejtësisht e rastësishme, dhe nuk ka asnjë lidhje me asnjë aspekt institucional apo zyrtar të vizitës. Personi në fjalë njihet prej meje prej kohësh si drejtor i gazetës ”L’Avanti”, - bën të ditur Meta në njoftimin e shpërndarë për shtyp nga zyra për mediat e partisë së tij. Ndërkohë që një ditë më parë në një intervistë për të përditshmen italiane “La Repubblica” ish-zv.kryeministri dhe ish-ministri i Jashtëm, Ilir Meta, kur flet për Valter Lavitolan shprehet se “Nuk e kujtoj ta kem njohur këtë zotin Lavitola. Por, edhe ndoshta, tani që më kujton atë vizitën në Itali”. Kur gazetari italian thotë se fotoja e publikuar e vë në situatë të vështirë ministrin Fratini, Meta përgjigjet: “Nuk e kuptoj situatën e vështirë, fotoja është zyrtare, ai burrë ishte i pranishëm, dikush e kishte autorizuar të qëndronte me ne”. Lavitola është tashmë një i kërkuar i drejtësisë italiane dhe në atë kohë përpiqej që të ndërhynte në lidhje me gazsjellësin Turqi-Itali që do të kalonte edhe për mes Shqipërisë.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›