Rama: Raporti i OSBE/ODIHR ndikoi në uljen e tensionit politik
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka deklaruar se raporti i fundit i OSBE/ODIHR, ka ndikuar në uljen e tensionit politik dhe sipas tij, ky raport është një gur themeli për futjen e zgjedhjeve në binarët e duhur. Në takimin e zhvilluar me shefin e Misionit të Vëzhguesve të 8-majit, Jonathan Stonestreet, Rama e falënderoi edhe njëherë zotin Stonestreet, për raportin e qartë të OSBE/ODHIR-it, mbi zgjedhjet, sidomos ato në Tiranë, si edhe për rekomandimet e vlefshme të bëra në këtë raport.
Ky raport është një gur themeli për futjen e zgjedhjeve në binarët e duhur, që ndryshe nga raporti i vitit 2009, ndikoi pozitivisht në uljen e tensionit politik me objektivitetin e me qartësinë e tij. Partia Socialiste e konsideron raportin tuaj një ndihmë të çmuar dhe një pikë referimi solide për një reformë që t`i japë fund deformimeve të papranueshme zgjedhore, u shpreh kreu i opozitës.
Nga ana e tij, shefi i Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit, vuri theksin tek domosdoshmëria e një sërë rregullimesh ligjore si edhe e krijimit të kushteve për rritjen e besimit të njerëzve tek zgjedhjet përmes një kulture politike, që ta bëjë të mundur një gjë të tillë. Ai shprehu gatishmërinë e misionit për të dhënë ndihmesën e vet në procesin e reformës zgjedhore, duke uruar që palët do t`i qëndrojnë vlerësimeve të bëra për raportin përmes një angazhimi konkret në adresimin e problematikave të tij.
Takimi mes kryetarit të Partisë Socialiste, Edi Rama dhe shefit të Misionit Vëzhgues të 8-majit, Jonathan Stonestreet ka zgjatur përreth 75 minuta. Të pranishëm në këtë takim kanë qenë edhe deputetët Vasilika Hysi e Damian Gjiknuri, të mandatuar nga grupi parlamentar i opozitës, për të ndërtuar me palën tjetër, metodologjinë dhe hapat për reformën zgjedhore./ora-news/