E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Re FRESSH, për të ndryshuar politikën

“Refresh është një lajm i gëzuar për familjet tonë të madhe politike dhe e bën më të gëzuar kremtimin e 20-vjetorit të FRESSH-it”. Kështu është shprehur kryetari i PS-së Edi Rama në fjalimin e tij me rastin e 20-vjetorit të themelimit të Forumit Rinor Eurosocialist të Shqipërisë ndërsa shtoi se ky është një takim për të ardhmen.

“Në sytë e mi ky është një takim për të ardhmen, me ndjenjën e krenarisë legjitime për të shkuarën dhe me shqetësimin për problemet e rënda të së sotmes” ka theksuar Rama.

Kreu i Partisë Socialiste tha gjatë fjalë së tij se të rinjtë sot komunikojnë më mirë dhe janë në dini të gjithë zhvillimeve. “Sot ju jetoni në një botë më të mirë dhe më të keqe. Ju merrni vesh në kohë reale çfarë ndodh në çdo pjesë të globit. Sot kini internetin dhe komunikoni me njeri-tjetrin pa pasur nevojë të takoheni si ne dikur tek “Skënderbeu, apo tek Sahati”, tha Rama.

Ai u shpreh se zhvillimi teknologjik duhet të shërbeje për të ndryshuar realitetin dhe për të kërkuar më të mirën për vendin. Ai u shtoi se “televizioni dhe rrjetet sociale janë një vend ku rinia sot i arratiset realitetit”.

Rama ka theksuar se të rinjtë ndodhen në një vorbull të trazuar dhe sot ata kanë nevojë për një politike të re që do të bëjë ndryshimin.
“Pa ndryshuar politikën askush s`mund të ndryshojë realitetin e padurueshëm në shkollë, lagje, komunitet, pa ndryshuar politikën gjenerata juaj s`mund të jetojë në një atdhe më të mirë e as të gjejë vendin që meriton në bashkësinë e lirë të popujve evropiane. Politika nuk është kjo, që ju zhgënjen e neverit me pisllëkun, ajo është diçka tjetër, fisnike dhe e aftë për të prodhuar transformime të mëdha, që nuk do kishin ndodhur pa fuqinë e politikës” ka theksuar Rama.


Ai ka theksuar më tej se Re FRESSH-i ëshë një mundësi e re për të ndryshuar politikën, për ta bërë më të mirë, për ta bërë atë të dëgjojë, të aftë të veprojë në interesin e secilit dhe shoqërisë.

“Sot Re FRESSH-i është mundësia e re për të guxuar dhe ndryshuar politikën duke e bërë më të mirë me ju dhe më gjithë shqiptarët. Sa më pak të merreni me politikën, aq më shumë do vuani në lëkurë mëkatet e gabimet e saj. Të merresh me politikë do të thotë që ëndrrës tënde t’i japësh fuqinë e vendimmarrjes, që politika të bëhet e aftë të veprojë në interes të shoqërisë. Të merresh me politikë do të thotë të zgjidhësh problemin e plehrave, të rrugës, çdo problem në marrëdhëniet me këdo që përfaqëson shtetin, të kërkosh e të marrësh atë që meriton kur e si të takon”- shtoi më tej Rama.

Gjithashtu Rama paraqiti para të rinjve edhe programin e ri të PS-së për një “Rilindje Shqiptare”, brenda të cilit, sic tha ai është shkruar një realitet i ri për çdo të ri shqiptar. “Ne duam t`i japim jetë një qeverie që angazhohet realisht me ju, të dëgjojmë shqetësimiet tuaja sot e nesër, historitë, mendimet tuaja.  Programi ynë i ri për rilindjen shqiptare i premton këto. Ne do t`i bëjmë të gjitha këto realitet" tha më tej Rama.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›