Rama: Reforma në drejtësi i hoqi korrupsionit dhe abuzimeve imunitetin nga drejtësia

TIRANË, 11 shtator/ATSH/ Kryeministri Edi Rama e cilësoi Reformën në Drejtësi dhe krijimin e SPAK si një zhvillim të rëndësishëm për Shqipërinë.
Kreu i Ekzekutivit, deklaroi se nuk ka pendesë për mbështetjen që i ka dhënë Reformës në Drejtësi dhe SPAK-ut.
“SPAK është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur Shqipërisë në këto 35 vjet. Nuk e diskutoj fare unë”, u shpreh ai.
Rama tha se “reforma në drejtësi nuk na dha ne imunitet nga korrupsioni apo nga abuzimet, por i hoqi korrupsionit dhe abuzimeve imunitetin nga drejtësia”.
“SPAK është një strukturë e re, një institucion i ri. Institucioni i ri do bëjë gabimet e veta. Është e dhimbshme shumë, sepse ndryshe nga institucionet e tjera, këto janë gabime që impaktojnë njerëz, jetë e etj. Por kjo është rruga. Do rritet dhe forcohet institucioni, do marrë eksperiencë, do trajtojë. Kur unë thosha: “Ne duam një drejtësi që të mos shohim majtas dhe djathtas, po të shohim vetëm drejtë dhe të godasim majtas dhe djathtas”, unë nuk bëja propagandë. Unë e dija shumë mirë çfarë vinte”, vijoi kryeministri.
Ai tha se historia do ta vlerësojë shumë pozitivisht dhe koha do tregojë që kjo ka qenë një reformë shtetbërëse shumë e guximshme.
Kryeministri pohoi se nuk ka pasur komunikim paraprak me SPAK-un për hetimet ndaj zyrtarëve të lartë dhe se e konsideron këtë institucion të pavarur nga qeveria.
“Ata që shikojnë vetëm konspiracion apo shikojnë vetëm hile, është e pamundur ta besojnë që SPAK është një institucion i pavarur. Dhe ata që shohin vetëm hile ose konspiracion, ose kanë bërë hile dhe konspiracion kur kanë pasur gjë në dorë, ose do ta bënin hilen dhe konspiracionin, se ndryshe nuk e kuptojnë dot botën. Kështu i shoh unë të gjithë ata që më ngrenë mua akuza pa prova, janë të tërë ashtu”, vijoi ai.
Kryeministri nënvizoi se “në raportin me reformën në drejtësi dhe me drejtësinë, unë kam vetëm një përgjegjësi politike: që reforma në drejtësi të mos të mos bëjë mbrapsht, që institucionet e reja të konsolidohen dhe që zotimi para shqiptarëve që këtu s’ka majtas-djathtas, po u identifikove si subjekt hetimi do hetohesh dhe po u identifikove si subjekt dënimi do dënohesh, të mos thyhet si zotim”.
/e.i/r.e/