E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Rezultatin e japin kutitë e votimit, jo sondazhet

Kryetari i PS-së komentoi sondazhet si shfaqje të bëra në kohën dhe vendin e gabuar


TIRANË - Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, kërkoi dje nga qytetarët të presin rezultatet e votimit, pasi ato ndodhen në kutitë e fshehta dhe jo në exit-pollet e disa mediave vizive.


Ky ishte qëndrimi i Ramës pas publikimit të disa sondazheve, të cilat për hir të së vërtetës, linin për të dëshiruar lidhur me shifrat që përcillnin për çdo qark.


Kreu i opozitës tha se nuk mund të ketë exit-poll të besueshëm nga cilado kompani qoftë, në një vend që opozita duhet të kurajonte qytetarët të mos frikësoheshin për të shkuar në votim.


"Nuk ka asnjë mundësi dhe gjasë që intervistat në derën e qendrave të votimit të jenë intervista që garantojnë atë që thonë në kutinë e fshehtë, për shkak të asaj klime dhe situate që ne e dimë shumë mirë, që e ka shoqëruar gjithë këtë proces",- tha Rama. Ai u përcolli të gjithë qytetarëve mesazhin e qetësisë dhe ftoi Kryeministrin të bëjë detyrën e tij dhe të mos nxisë festa e fishekzjarrë.


"Ne duhet të kalojmë provimin e madh dhe ai nuk mund të cenohet në cilësinë e vet për shkak të një shfaqjeje, që janë shfaqje të demokracisë, po nuk mund të eksperimentohet në vendin e gabuar, në kohën e gabuar dhe ky exit-poll është i dështuar, por kjo është demokracia",- tha kryetari i PS-së, Rama.


Sipas tij, edhe PS-ja ka rezultatin e përpunuar paraprak, por sqaroi se nuk e bëjnë publik, për t'i qëndruar një pakti të bërë, natyrisht, midis palëve dhe për të mos i zënë radhën popullit sovran, për t'i dhënë mundësi Policisë së Shtetit, komisionerëve dhe gjithë atyre që janë të përfshirë në proces, të bëjnë punën e tyre.


"Ne i kemi pasur dhe i kemi bërë në vazhdimësi sondazhet tona që flasin krejt kundër, flasin qartë për një avantazh të konsoliduar të PS-së dhe "Bashkimit për Ndryshim".


Edhe të dhënat sot (dje) flasin qartë për një avantazh",- theksoi ai. Kryetari i PS-së tha se sfida jonë është që e gjithë Shqipëria të dalë nga 28 qershori me faqen e bardhë dhe, sipas tij, jemi në rrugë të mbarë.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›