Uidhers: Zgjedhjet, shqiptarët të presin rezultatin zyrtar
Presidenti Topi takoi ambasadorin amerikan dhe atë të OSBE-së. Të tre bënë thirrje për zgjedhje të qeta dhe zbatimin e standardeve
TIRANËS - Pas takimit të zhvilluar dje në mesditë, Presidenti i Republikës, Bamir Topi, ambasadori i SHBA-së në Tiranë dhe ai i OSBE-së, Robert Bosch, përpos motit paksa problematik, kanë shprehur dëshirën, që dita e djeshme të ishte një ditë për demokracinë shqiptare. Ashtu si edhe gjatë momentit të votimit, Presidenti i Republikës, bëri sërish thirrje që qytetarët të dilnin në votim.
"Pjesëmarrje, pjesëmarrje me qetësi, njerëzit sigurisht duhet të jenë të qetë, duhet të jenë të lirë! Është në radhë të parë respekt për veten e tyre të shkojnë të shprehin votën për atë që dëshirojnë, pra, para se të respektojnë të tjerët, duhet të respektojnë vetveten.
Dhe respekti është pikërisht tek vota, sepse tek e fundit, dhe partitë varen tek vullneti i njerëzve. Pra, vullneti i gjithsecilit është shumë i rëndësishëm",- tha Topi. Ndërkohë, ambasadori amerikan në Tiranë, Xhon Uidhers, ka deklaruar se çdokush që ka të drejtën e votës, të ushtrojë të drejtën demokratike dhe të dalë të votojë.
"Njerëzit nuk duhet të jenë të shqetësuar, apo të kenë frikë për të shkuar për të votuar, qytetarët nuk duhet t'i nënshtrohen asnjë presioni, nga çfarëdolloj grupi, por duhet të votojnë në mënyrë individuale, duke iu bindur vullnetit të tyre. Ata duhet të votojnë qetësisht dhe të jenë të duruar për të pritur rezultatet",- tha dje Uidhers.
Ai ka theksuar fort faktin se numërimi zyrtar mund të kërkojë kohë dhe për shkak të kësaj, qytetarët nuk duhet të hamendësojnë, por të presin deri në shpalljen e rezultatit zyrtar.
"Mendoj që është shumë e rëndësishme për të gjithë komisionerët që të respektojnë ligjin, procedurat dhe, gjithashtu, të zbatojnë ato standarde që respektojnë standardet ndërkombëtare.
Besoj fuqishëm se ajo çka është më e rëndësishme sot, është që këto zgjedhje të jenë të lira, të jenë transparente, të jenë të ndershme, parimi themelor dhe kryesor të jenë jo aspiratat e partive, por vullneti qytetar",- tha Xhon Uidhers.
Edhe ambasadori i OSBE-së në Tiranë, Robert Bosch, duke mbështetur plotësisht qëndrimin e Presidentit të Republikës, Topi dhe ambasadorit Uidhers, ka shtuar se, në bazë të raportimeve, situata ditën e djeshme ka qenë relativisht e qetë.
"Ne thjesht shpresojmë dhe besojmë që gjërat do të vazhdojnë kështu, në mënyrë që të gjithë të kenë kurajën dhe guximin për të dalë për të votuar dhe pikërisht për ato arsye, të cilat i shprehu ambasadori Uidhers.
Unë thjesht do t'u bëja një thirrje gjithë njerëzve, që ende nuk kanë votuar, të dalin dhe të votojnë, ndërsa njerëzve që kanë aplikuar për një kartë identiteti dhe që nuk e kanë marrë akoma, do t'u kujtoja që oferta për të shkuar dhe për të tërhequr kartat e identitetit është ende e vlefshme deri në orën 7 të mbrëmjes, kështu që njerëzit mund të shkojnë dhe t'i marrin", - tha Bosch, duke bërë edhe njëherë thirrje që të gjithë qytetarët të dalin në votim.
-----------------------------------------------------------------------------------------------------
Subashi: Ndalimi i mjeteve, jo kompetencë e KQZ-së
TIRANË - Menjëherë pas votimit të marrë nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, për ndalimin e të gjithë mjeteve të përdorura nga anëtarët e QV-ve për mbrojtjen e votës së lirë, ka reaguar zv-kryetarja e këtij institucioni zgjedhor, Dëshira Subashi.
Pas miratimit të këtij vendimi, me shumicën e thjeshtë të votave, nënkryetarja e KQZ-së, theksoi se vendimi bie në kundërshtim me ligjin dhe është jashtë kompetencës së KQZ-së. Komisioni, sipas saj, i ka miratuar më parë rregullat se si duhet të funksiononin QV-të dhe kjo është një ndërhyrje e hapur që u bëhet këtyre strukturave, në kundërshtim me Kodin Zgjedhor.
Gjithashtu, nënkryetarja e KQZ-së komentoi dhe polemikat që shkëmbeu në mbledhjen e djeshme me përfaqësuesin juridik të PD-së, Njazi Kosovrasti, që u pasua me largimin e saj nga salla e KQZ-së. Sjelljen e tij, Subashi e cilësoi "ndërhyrje arrogante dhe mungesë etike".