E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama: Roli i politikës, jo modeli i deritanishëm

09/02/2012   Akademia Politike, kreu socialist leksion për rolin e politikës

“Pa ndryshuar politikën asgjë nuk mund të bëhet për ju”

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, përshëndeti dje të rinjtë që i janë përgjigjur ftesës së kësaj partie për të qenë pjesë e studimeve në Akademinë Politike. Në fjalën e tij Rama kërkoi nga këta të rinj që, pavarësisht rolit zhgënjyes që ka përçuar deri më sot politika, të kontribuojnë për ndryshimin e saj. Sipas tij, pa ndryshuar politikën asgjë nuk mund të arrihet, dhe ndryshimi i saj duhet të shkojë në të mirë të vendit. “Pa ndryshuar politikën asgjë nuk mund të bëhet për ju. Askush prej jush nuk mund të ndryshojë realitetin e vështirë. Gjenerata juaj as nuk mund të jetojë nesër në një atdhe më të mirë. Politika nuk është kjo që shihni përditë. Politika në vetvete është fisnike. Kam dëgjuar shpesh shumë njerëz, të të gjitha moshave, të shprehen se “nuk duam tia shohim bojën politikës”. Kjo është gabim, pasi politika merret përditë me ju dhe me secilin që kujton se i shpëton. Sa më shumë ju të tërhiqeni në këndin tuaj dhe sa më pak të merreni me politikë, aq më shumë do të vuani mëkatet dhe gabimet e saj”, - vuri në dukje Rama lidhur me një çështje të tillë. Kryetari i PS-së vijoi më tej me leksionit e tij mbi politikën lidhur me mënyrës se si dhe për çfarë ajo duhet të funksionojë. “Të merresh me politikë do të thotë të luftosh bashkë me të tjerët kundër padrejtësive që prekin popullin apo grupin tënd shoqëror, pa pritur që padrejtësia të të godasë ty vetë personalisht. Do të thotë të refuzosh gënjeshtrën publike, cinizmin e autoriteteve zyrtare, skarcitetin e shërbimeve shtetërore duke bashkuar zërin tënd të dobët me zërin e të tjerëve, që njësoj si ti smund të bëjnë asgjë vetë, të veçuar në cepin e heshtjes apo të belbëzimeve të tyre. Të merresh me politikë do të thotë të kërkosh dhe të marrësh atë që meriton kur të takon, ashtu siç të takon, pa lejuar që ta marrë dikush që nuk i takon”, - vlerësoi Rama. Sipas tij, të merresh me politikë do të thotë të militosh për një shkollim më të mirë. “Të merresh me politikë do të thotë të mos e pranosh realitetin përreth ashtu siç ta imponojnë, po të kontribuosh për të imponuar me zërin e shumicës ndryshimin që njësoj si ti shumica dëshiron dhe meriton. Të merresh me politikë sdo të thotë medoemos të bëhesh politikan, po të bëhesh një qytetar i dobishëm për vendin e për familjen tënde. Sot dhe nesër. Kjo është të merresh me politikë. Sepse të merresh me politikë do të thotë të jesh më shumë sesa një njeri i mirë”, - shtoi Rama.

Përshtypja

“Jam shumë i mbresuar pozitivisht nga fakti se kaq shumë të reja e të rinj i janë përgjigjur ftesës për aplikim në Akademinë tonë Politike. Kjo mua më tregon se politika se ka humbur fuqinë tërheqëse të saj, me gjithë rolin shkurajues që luan prej vitesh në sytë e shoqërisë, me gjithë zhgënjimet që ajo ka prodhuar pas ndryshimesh premtuese e premtimesh të pambajtura.”

Aktualiteti

“Fatkeqësisht, politika nuk ka munguar asnjëherë në gjithë këto vite tju japë shembullin e keq, mësimin e gabuar, modelin më të mbrapshtë të të jetuarit në kushtet e botës që lindi nga përmbysja e diktaturës. Unë dua vetëm tju them sot se pa ndryshuar politikën asgjë tjetër sdo të ndryshojë dot për ju të gjithë në mjedisin tonë përbashkët, në Shqipërinë ku jetojmë.”

Akuza

“Nuk është e mundur më një Shqipëri ku kush fiton më pak paguan më shumë dhe kush fiton më shumë paguan më pak. Nuk është e mundur më një Shqipëri me 1 milionë të papunë. E zhytur në krim e korrupsion. E gjunjëzuar nga dhuna e injorancës. E trembur nga pasiguria e së nesërmes, ku askush nuk e fiton dot një vend pune nëse nuk ka një lidhje gjaku me qeveritarët.”

Mesazhi

“Hidhuni në betejë me besimin te vetja. Bëjeni veten tuaj një forcë të ndryshimit që meritoni dhe që do ta mbërrini vetëm duke e bërë të ndodhë me forcën tuaj të bashkuar me tonën e të gjithkujt që beson se meriton një vend më të mirë për të jetuar. Kështu ndryshimi do të vijë me të gjithë fuqinë e vet. Edhe koha e ndërrimit të stafetave do të vijë pa dyshim. Bëjeni të mundur.”

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›