E Diel, 1 Nëntor 2026

Arvizu: Presidenti i ri me integritet përmes konsultimeve aktive

09/02/2012  Zhvillimet politike, ambasadori i SHBA-ve takohet me kreun e PS-së, Edi Rama

Arvizu: Presidenti i ri me integritet përmes konsultimeve aktive

Ambasadori i SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, lëshoi dje sinjale të qarta për klasën politike shqiptare për çështjet më të nxehta në aktualitetin parlamentar. Kështu, pas një takimi të zhvilluar me kreun e Partisë Socialiste Edi rama në selinë rozë, diplomati amerikan u dha përgjigje një sërë pikëpyetjesh lidhur me qëndrimin e SHBA-ve për debatin politik për presidentin e ri të vendit, reformës parlamentare, asaj zgjedhore, të drejtësisë etj. Në vlerësimin e ambasadorit Arvizu për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit duhen konsultime aktive mes palëve, sepse roli i presidentit është shumë i rëndësishëm si për vendin, ashtu dhe përzgjedhjen e drejtuesve të institucioneve të rëndësishme të vendit. "Përpiqem ti qëndroj larg termit "president konsensual", sepse ai term mund të sjellë gjëra të ndryshme për njerëz të ndryshëm. Unë dua të them konsultime aktive mes palëve kryesore, sepse roli i presidentit është shumë i rëndësishëm për këtë vend dhe gjithashtu është i rëndësishëm edhe në arenën ndërkombëtare, për SHBA-të, por dhe për shtetet e Bashkimit Europian”, - vuri në dukje Arvizu gjatë prononcimit të tij për shtyp në përfundim të takimit që zhvilloi me kreun e selisë rozë. Madje, duke sqaruar më tej mbi këtë çështje, ambasadori amerikane shtoi: “Duke parë rolin që luan presidenti në emërimin e kreut të Prokurorisë dhe SHISH-it, është shumë e rëndësishme të vendosen njerëz me integritet në këto pozicione, sepse ne mund të flasim shumë gjatë, por për sa kohë nuk ka persona me integritet në këto pozicione, nuk mund flitet për reforma, pasi ato do të ishin qesharake. Është e rëndësishme që tu largohemi proceseve false dhe të ecin në rrugën e reformave.”

Por veç diskutimeve mbi zgjedhjen e kreut të ri të shtetit ambasadori Arvizu bëri me dije se në bisedën, që zgjati më shumë se një orë, me kreun e opozitës është folur edhe për çështje të tjera, siç është situata e rendit në vendin tonë, hetimet për 21 janarin, ekonomia, reforma zgjedhore dhe ajo parlamentare.

Vizita në SHBA

Kreu i Partisë Socialiste po përgatitet për një vizitë në SHBA, ku synon të takojë përfaqësues të lartë. Referuar një synimi të tillë, Rama i ka bërë me dije ambasadorit amerikan Arvizu lidhur me qëllimin e tij, ku ka kërkuar mbështetje për të arritur zhvillimin e takimeve me zyrtarë amerikanë.

Takimi me Bashën

Kryebashkiaku Lulzim Basha dy ditë më parë zhvilloi një takim me ambasadorin e SHBA-ve në Tiranë, Aleksandër Arvizu, në një lokal të Tiranës. Ky takim erdhi pas vizitës së Bashës në SHBA. Në qendër të bisedës kanë qenë projektet strategjike të zhvillimit të Tiranës dhe mbështetja ndaj tyre e institucioneve amerikane.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›