Importi i mbetjeve, KQZ miraton mbledhjen e 50 mijë firmave
Fleta tip e miratuar dje nga KQZ, krahas emrit të nënshkruesit dhe vendbanimit do të shoqërohet edhe me fotokopje të kartës së identitetit, çka ka sjellë debate
Ligji i shumëdiskutuar për importin e plehrave në vendin tonë, ka marrë dje nga KQZ-ja “bekimin” për të shkuar drejt referendumit. Do të duhet mbledhja e 50 mijë firmave, në mënyrë që pjesa e ligjit që lejon importin e plehrave të kalojë në referendum. Në mbledhjen e djeshme, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi kërkesën e Aleancës kundër Importit të Plehrave, për të shfuqizuar nga ligji për importin e plehrave, pikën 3 të nenit 22 dhe nenin 49 për referendumin, duke miratuar në këtë mënyrë modelin e fletës tip, e cila do t’i shërbejë këtij procesi. Sipas modelit të përpiluar nga KQZ-ja, në fletën tip, çdo qytetar duhet të shkruajë emrin, mbiemrin, atësinë dhe nënshkrimin e tij. Ndërkohë, KQZ krahas të dhënave personale që do të shënohen në formularin tip kërkoi që secili nga nënshkruesit t’i bashkëngjisë formularit edhe një fotokopje të mjetit të identifikimit. Gjithashtu, në fletën tip që do t’i dorëzohet AKIP, do të jetë e bashkangjitur edhe një fletë udhëzuese për plotësimin e të dhënave. “Mendojmë se në kokë të fletës tip të vendosim qarkun, rrethin, bashkinë ose komunën, ku çdo fletë të ketë nënshkruesit e qarkut të cilit i përkasin. Fletës mbrapa i bashkëngjitet një udhëzues për plotësimin, ku emri, mbiemri dhe atësia do të shkruhet me gërma kapitale. Çdo nënshkrues të plotësojë me shkrim dore dhe pa korrigjime dhe fletës tip t’i bashkëngjitet fotokopje e kartës së identitetit apo pasaportës”, - tha kreu i KQZ-së, Arben Ristani.
AKIP dhe Saliani kundër fotokopjes
Juristi i Partisë Socialiste në KQZ, Eridian Saliani e konsideroi bashkëngjitjen e fotokopjes së mjetit të identifikimit nga nënshkruesit e referendumit kundër importit të plehrave si të pavend. Sipas Salianit, një kërkesë e tillë është qartësisht një barrierë që i vendoset zhvillimit të këtij procesi, duke e bërë atë të paragjykuar në sy të publikut. “T’iu kërkosh nënshkruesve fotokopje të kartës së identitetit, domethënë të vendosësh një barrierë në zhvillimin e këtij procesi. Që në këtë moment procesi bëhet i paragjykuar. Kur ato japin të gjitha të dhënat kjo është më se e mjaftueshme. Kjo që thoni ju është sikur t’i kërkosh një zgjedhësi në votime të lërë edhe një fotokopje të mjetit të identifikimit në qendrën ku voton”, - theksoi ai. Nga ana tjetër, Blendi Kajsiu, në emër të Aleancës kundër Importit të Plehrave, u shpreh se kërkesa për një fotokopje të mjetit të identifikimit për secilin nënshkrues e bën procesin tepër të vështirë. Lidhur me këtë çështje, Kajsiu theksoi se mbledhja e firmave nga ana e tyre nuk përqendrohet vetëm në zonat urbane, por edhe në ato rurale. Për rrjedhojë ai u shpreh se një praktikë e tillë do të jetë gati e pamundur, pa u ndalur në aspekte të tjera negative që sjell kjo kërkesë. “Jemi dakord me dy pikat e para, por mendojmë se pika e tretë që kërkon fotokopje të dokumentit, e bën shumë të vështirë zhvillimin e procesit. Mendoni se ne do mbledhim firma jo vetëm në zonat urbane por edhe ato rurale, të mos përmendim pastaj edhe kostot financiare në këtë rast”, u shpreh Kajsiu.
Kosovrasti
Përfaqësuesi juridik i PD-së, në KQZ, Njazi Kosovrasti, gjatë diskutimit të tij insistoi fort në dhënien e një opinioni nga ana e Ministrisë së Mjedisit, nëse do të jetë i vetëmjaftueshëm ligji për importin e plehrave pas shfuqizimit të pikës 3 të nenit 22 dhe nenit 49. “Unë insistoj që një opinion i kësaj ministrie apo i një institucioni tjetër që KQZ-ja do ta mendonte, të ishte përpara se ju të merrnit vendimin”, tha Kosovrasti. Ndërkohë që ky pretendim i ngritur prej tij u konsiderua nga përfaqësuesit e AKIP, si një opinion që nuk është i nevojshëm në këtë etapë. Nga ana tjetër, anëtari i KQZ-së, Laze u shpreh se për sa i përket Ministrisë së Mjedisit, duke qenë palë mbrojtëse e ligjit në Kuvendin e Shqipërisë, është joligjore që ajo të paraqesë një opinion të tillë. “Opinionin e saj mund ta paraqesë në fazën e fushatës që mund të bëhet përpara datës së referendumit. Paralelisht me grupin nismëtar mund të paraqesin opsionin e tyre dhe zgjedhësi bën zgjedhjen e caktuar”, - tha Laze.
Debatet mes Ristanit dhe Salianit në KQZ
Ristani: KQZ ka detyrim të verifikojë nënshkrimet dhe saktësinë e dokumenteve, dhe detyrimisht duhet t’i drejtohemi departamentit të kriminalistikës për të vërtetuar është apo jo personi që ka firmosur me atë dokument identifikues apo jo. Dhe përfaqësuesi i PD-së po thotë se, a do ishte e mundur të rregullohet që tani për të pasur dokumentet në rregull nesër?
Kosovrasti: Unë dua të parandaloj gjërat, nuk është mirë që të fillojë procesi dhe rregullat të vendosen mbrapa.
Feruni: Është e qartë që ne kërkojmë që të pajisemi me fletët tip, për të mbledhur 50 mijë firma. Çështja që ngre zoti Kosovrasti i përket një kohe tjetër, ne mund t’i mbledhim dhe është e drejta e KQZ-së që nëse u dashkan 50 mijë veta të shkojnë para noterit mund ta hedhë poshtë. Sot ne duam fletën e votimit që të nënshkruajmë firmat e qytetarëve. Kujtoj këtu një precedent pozitiv në referendumin e 2006-ës në Vlorë, ku është mbledhur nënshkrimi me pasaportë dhe me letërnjoftim, dhe u konsiderua nga KQZ-ja që referendumi e ka procedurën të rregullt në këtë pikëpamje.
Ristani: Nuk besoj se je i saktë.
Dëshira Pasko: Kjo është rrëzuar pasi një numër i konsideruar personash të cilët ishin nënshkrues në formularin tip, nuk rezultonin të regjistruar në listën e zgjedhësve.
Feruni: Kjo nuk qëndron.
Ristani: Ekziston mundësia që të mblidhen firma që nuk janë të vërteta. Sigurisht që ligji parashikon që nënshkrimet për zhvillimin e referendumit të paraqiten para KQZ-së, ku do të verifikojmë këto nënshkrime. Ne verifikojmë nëse nënshkruesi është në listën e zgjedhësve dhe nëse firma është e tyre apo nuk është e tyre. Një nga metodat që e verifikojnë këtë pjesë është Instituti i Kriminalistikës.
Saliani: Ne jemi dakord për gjithçka që i shërben këtij procesi. Por të nxjerrësh pengesa procedurale që nuk kanë lidhje me këtë procedurë, domethënë që në mënyrë të kulturuar po e zvarrisim këtë procedurë. Keni detyrimin ligjor që brenda 20 ditëve të pajisni këta qytetarë me formularin tip.
Ristani: Çfarë do të thuash me këtë?
Saliani: Domethënë që zgjatja e afatit shkel nenin 123.
Ristani: Meqë e kemi shkelur këtë nen do ta mbyllim se jemi jashtë afatit?
Saliani: Mbledhja e KQZ-së ka filluar më datë 18, por me datë 1 është protokolluar kërkesa, dhe janë brenda afatit. Ristani: Atëherë, përse e nxorët këtë pretendim?
Saliani: Sot këta janë në afat, por ju do ta shtyni se ju do të rregulloni veten tuaj, doni të rregulloni disa procedura, që d.m.th. se ne sot do e shtyjmë se do të nxjerrim një akt normativ.
Ristani: Po kush kërkoi shtyrje afati? Mos gri sallatë kot.
Saliani: Nëse unë po gri sallatë, ti je ai që do e hash sallatën.
Ristani: Mos pi që në mëngjes vëlla
Saliani: Ashtu të duket, alkooli që mban në xhep të duket sikur e kanë të tjerët
Kosovrasti: Dashamirësia e KQZ-së, që iu dha afat për korrigjimin e kërkesës, nuk duhet të bëhet shkak për diskutimin e afateve. Shqetësimi im është se nuk mund të fillojë pa rregulla të qarta.
Kajsiu: Në lidhje me problemin e verifikimit, ne përveç mbledhjes së firmave, marrjes së emrit, të mbiemrit dhe të dhënave personale, ne të gjitha këto do t’i bëjmë publike në çdo vend ku do të merren firmat. Çdo qytetar ka të drejtë t’i shikojë firmat, dhe nëse firma është hedhur false ka të drejtë ta denoncojë. Kjo do të garantojë se asnjë qytetari nuk i është marrë firma në mënyrë të pandershme.